Ndërmarrja Publike Komunale, “Trafiku Urban”, ka njoftuar se nuk do të ketë grevë dhe se shërbimi i transportit publik në Komunën e Prishtinës do të vazhdojë pa ndërprerje.
Punëtorët e “Trafikut Urban” patën paralajmëruar grevë nga 13 shkurti (nesër) për shkak se nuk u mbajt premtimi për rritjen e pagave.
Por sipas njoftimit në Facebook të enjten (12 shkurt), menaxhmenti i ndërmarrjes, në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës.
Sa i përket kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, “Trafiku Urban” ka theksuar se mbetet i përkushtuar që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.
Menaxhmenti dhe sindikata janë pajtuar që diskutimet e detajuara për realizimin e kërkesave të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Edhe
“Trafiku Urban” paralajmëron grevë nga 13 shkurti
Në njoftim thuhet se kërkesat do të mbeten në shqyrtim aktiv dhe se, sapo të përmirësohet gjendja financiare e ndërmarrjes dhe të sigurohen të ardhura të mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, ato do të trajtohen me prioritet, në bashkëpunim me sindikatën dhe organet kompetente.
Për nëntë ditë vitin e kaluar “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kishin ndërprerë shërbimet shkaku i borxheve të pashlyera nga Komuna. Zgjidhje ishte gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit vendim nisi alokimin e Ministria e Financave. Puna e transportuesve pati nisur më 3 dhjetor.