Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Topi: Vitet 2008-2009, më të mirat për shqiptarët në rrugëtimin historik

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, deklaroi se vitet 2008-2009, ishin vitet më të mira për shqiptarët në rrugëtimin historik.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së të enjten se, në këtë periudhë, çdo interes i shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e në diasporë, u jetësua me pavarësimin e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO.

“Kujtoj një vizitë në Kosovë, në fund të janarit të vitit 2008, që do të thoshte rreth 2-3 javë para se Parlamenti i Kosovës ta shpallte Kosovën shtet të pavarur e sovran. Janë emocione shumë të veçanta që ndjenë një njeri që një moment të caktuar është edhe kryetar i shtetit shqiptar. Vitet ikin shpejt, kanë kaluar 16 vjet dhe ato vjet, 2008, 2009, ndoshta kanë qenë vitet më të mira për shqiptarët në rrugëtimin e tyre të gjatë historik. Kur them për shqiptarët, kam parasysh të gjithë interesat e çdo shqiptari, pavarësisht nëse jetonte në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporë. Së pari ishte Pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt, ndërsa më 2 prill të 2008, dy muaj më vonë, Shqipëria mori ftesën për t'u anëtarësuar në NATO. Një vit më vonë, në prill të 2009-s, Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plota, si një nga 28 vendet e Aleancës të Atlantikut të Veriut”, deklaroi Topi.

Sipas ish-presidentit, këto arritje të shqiptarëve ndikuan edhe në stabilitetin politik të Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Stabilitet në institucione, në mundësi të mëdha të rritjes dhe të intensifikimit të marrëdhënieve mes nesh dhe për të projektuar një të ardhme që padyshim do të ishte më e mirë. Pas 15 vjetësh, njeriu e ka mundësinë të bëjë një bilancë, jo vetëm ndjesitë tona, jo vetëm ndjesitë e kontingjentit të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Kam parasysh edhe ndjesitë që kam arritur të kapë te liderët e vendeve të Ballkanit”, shtoi ai.

Edhe Rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës Kulturë Rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës

Topi theksoi se gjersa ishte president i Shqipërisë, ka promovuar çështjen shqiptare, “në mënyrë të veçantë Pavarësinë e Kosovës”.

“Shumë delegacione vinin në zyrë, e shumë aktivitete ndërkombëtare, gati gjysma e kohës dhe agjendës sime ishte në favor të Kosovës. Por sot, pas 15 vjetësh, padyshim që ka një lloj vlerësimi relativ, ku gjërat s'kanë shkuar aty ku unë kam pritur”, potencoi ai.