Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tjetërsimi i jashtëligjshëm i pronës së RTP-së, Kushtetuesja kthen në rivendosje çështjen e Qehajës

kusht.

Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në rivendosje çështjen e parashtruar nga Shkumbin Qehaja ndaj Aktgjykimit të dhënë nga Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Qehaja pati parashtruar ankesë ndaj këtij Kolegji pasi kishte kërkuar mbajtje të seancës dëgjimore lidhur me rastin për tjetërsimin e pronës së RTP-së, por që i ishte refuzuar.

Kushtetuesja ka thënë se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Supremes është nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në Kushtetutë. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se Kolegji ka qenë i detyruar ta trajtojë domosdoshmërinë e mbajtjes së seancës dëgjimore, “detyrim ky të cilin në fakt, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, bazuar në ligjin e aplikueshëm, e ka edhe sipas detyrës zyrtare”.

Me këtë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje procedurale në procedurat para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme si “rezultat i mostrajtimit, refuzimit dhe mungesës së arsyetimit të mosmbajtjes së seancave dëgjimore në dy shkallë vendimmarrjeje”.

Rrethanat e rastit lidhem me një padi që kishte ushtruar Shkumbin Qehaja kundër Radiotelevizionit të Prishtinës, për vërtetimin e të drejtës pronësore mbi një ngastër kadastrale në Prishtinë, e cila nga shkresat e lëndës rezulton të jetë në pronësi shoqërore. Qehaja dhe përfaqësuesit e Radiotelevizionit të Prishtinës, më 10 prill 2019 kishin arritur pajtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe më pas prona e kontestuar kishte kaluar në pronësi të Qehajës. Megjithatë , më 28 tetor 2019 Agjencia Kosovare e Privatizimit, si përfaqësuese e ndërmarrjeve shoqërore, kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar anulimin e pajtimit gjyqësor, me theks në kontestimin e kompetencës së Themelores për këtë proces gjyqësor.

AKP-ja pati thënë se Themelorja nuk ka pasur kompetencë lëndore për këtë rast dhe se atë është dashur ta përcjellë në Dhomën e Posaçme të Supremes. Pasi u trajtua padia, Themelorja qe shpallur jokompetente duke e dërguar lëndën në Dhomën e Posaçme.

Qehaja pati kërkuar më pas edhe mbajtjen e seancës dëgjimore. Por, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Supremes duke e aprovuar padinë e AKP-së se pajtimi gjyqësor i arritur në Themelore nuk prodhon efekte juridike pasi nuk ka qenë kompetente për rastin, e refuzoi edhe kërkesën e Qehajës për mbajtje të seancës.

Edhe Kushtetuesja mban seancë publike për një kontest pronësor në Prishtinë Arbëri Kushtetuesja mban seancë publike për një kontest pronësor në Prishtinë

Qehaja më pas kundërshtoi edhe vendimin e Kolegjit, dhe kërkoi sërish mbajtjen e seancës dëgjimore. Kur Kolegji ia refuzoi kërkesën, Qehaja ankesën e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstatoi në fund ta kthejë çështjen në rivendosje – përkatësisht çështjen lidhur me mungesën e seancës dëgjimore, që nuk ndërlidhet me rastin konkret të pronës së RTP-së.