Arbëri

Tjetërsimi i pronës milionëshe të RTP-së u përmblodh në gjysmë faqe të Gjykatës

Me këtë vendim, Gjykata Themelore në Prishtinë tjetërsoi pronën në vlerë milionëshe të Radiotelevizionit të Prishtinës.

Siç shkruan “Koha Ditore”, gjykatësi Lekë Prenaj është mjaftuar me atë se “dy palët janë pajtuar me këtë marrëveshje”, raporton KTV.

Në këto dokumente dëshmohet pajtimi gjyqësor. Sipas dosjes së lëndës, gjyqtari Lekë Prenaj nuk e ka kontestuar as borxhin e pretenduar, për të cilin, si shkëmbim është dhënë prona.

Gjyqtari, si palë të paditur e ka konsideruar RTP-në, ani pse si ndërmarrje shoqërore nuk ekziston qe disa dekada.

RTP-ja, në Ministrinë e Tregtisë, është e regjistruar si ndërmarrje shoqërore në vitin 2014.

Në formular të Ministrisë së Tregtisë, specifikohet që e menaxhon Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Palë tjetër në këtë proces ka qenë Shkumbin Qehaja, i cili është i biri i Tefik Qehajës.

Ai pretendon se babai i tij, para luftës, e ka pasur një kompani përmes së cilës e ka furnizuar RTP-në me pajisje televizive.

“Kontrata e lidhur mes RTP-së dhe ndërmarrjes ARBA, pronë e Tefik Qehajës, me numër 138/94 e datës 28.06.1994”, është formulimi i vetëm në padinë e Qehajës, që “dëshmon” për këtë borxh në shkresat e Gjykatës.

Kërkesa e gjyqtarit Prenaj për përgjigje në padi, fare nuk ka ngritur si çështje vërtetësinë e obligimeve të pretenduara financiare që Radiotelevizioni i Prishtinës mund t’ia kishte dikujt.

Kërkesa, sipas dokumenteve të siguruara, ka të bëjë me “vërtetim të pronësisë” së tokës që është dhënë në shkëmbim të borxhit të pretenduar.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me gjyqtarin Lekë Prenaj, në kontestin e paditësit nga Prishtina, kundër të paditurës RTP - Radio Televizionit të Prishtinës, me seli në Prishtinë, për vërtetimin e pronësisë jashtë seance, më datë 14 maj 2018”, thuhet në këtë dokument.

Ndërkaq, AKP-ja fare nuk ka qenë në dijeni për këtë tjetërsim të pronës nga ky proces gjyqësor.

Të enjten e kaluar, Koha Ditore ka raportuar se parcelën rreth 80 ari, e cila gjendet në lagjen “Veternik” në Prishtinë, Radio Prishtina e ka humbur në emër të asaj që avokati i Qehajës, Shefki Syla, e ka prezantuar si “borxh të Radiotelevizionit të Kosovës”.

Pas raportimit, hetuesia ka shkuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Radiotelevizionin e Kosovës, për ta kërkuar dokumentacionin që lidhet me këtë rast.