Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tirana, kryeqyteti

Foto: AP

Banorët e Tiranës i duan muzikën dhe lulet. Mund të shohësh burra si ecin vërdallë me trëndafila në gojë. I përdorin ata edhe si susta shtesë për të kapërthyer xhaketat.

Një pjesë e popullatës u është dedikuar instrumenteve frymore. Muzikantët me instrumente frymore – boritë për mëmëdheun – janë rekrutuar edhe në ushtrinë shqiptare. Dita e ushtarëve nis me borinë e zgjimit dhe përfundon me rrahjet e daulles. Muzika e mban lëkundjen në hapat e tyre.

Presidenti ka një grup të tij personal muzikor. Udhëheqësi i grupit ka syze pa bushta dhe është nga Trieshta. Lojtarët janë nga Korça, nga jugu melofonik, dhe nga Çekosllovakia, të cilët në kohën kur ajo ende ishte Mbretëria e Bohemisë e furnizonin armatën e Monarkisë duale me rreshterët më sublimë të grupeve ushtarake muzikore, shkruan KOHA. Secili muzikant paguhet pesëmbëdhjetë napolona në muaj. Sigurimi dhe mirëmbajtja e uniformave madhështore – të zeza me stolisje ngjyrë ari – janë përgjegjësi e secilit individualisht. Në kapelë secili prej muzikantëve bart emblemën e njohur të muzikës ushtarake: lirën e artë.

Në orën shtatë të mëngjesit, në kohën kur ushtarët dalin nën zërin e borisë, muzikantët zgjohen sikur shumë zogj të tjerë, dhe ushtrojnë pjesët e marsheve dhe uverturave në mes të rrugës kryesore. Banorët lokalë kanë bërë ankesë në gjykata gjashtë herë deri tani me kërkesën që ushtrimi të bëhet në një fushë jashtë qytetit. Por në gjashtë raste të veçanta, ata kanë harruar t’i bashkëngjitin arsyet për një kërkesë të tillë. E pa arsye asgjë nuk bëhet.

Burrat që nuk janë as në ushtri, e as në grupin muzikor, i janë përkushtuar luajtjes së butë në mandolinë. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në Amerikë. Atje ata i mbushën dhëmbët me ar, dhe i blenë vetes instrumente me tela.

Ata këndojnë këngë për banane, për të dëshmuar se e kanë parë botën, ndoshta edhe si një shprehje e mallit të tyre të dhimbshëm për Amerikën, të cilën e braktisën për shkak të mallit të dhimbshëm për Tiranën. Zemrat e tyre ende rrëmbëllejnë mbi valët e oqeanit, por gjësendet e tyre, që përbëhen nga krehër, pasqyre, e letra janë në Tiranë. Një mandolinë është thjesht e pashmangshme.