Thirrjes për shkarkimin e zv.kryeministrit Driton Selmanaj, pas deklarimit të tij për çështjen e të pagjeturve, i është bashkuar edhe organizata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.
Kryetarja e kësaj organizate, Nusrete Kumnova, ka thënë se nga krerët e institucioneve kërkojnë respekt për familjarët e humbur.
“Nuk na duhet një zv.kryeministër i cili nuk përkrah popullin e vet. Ata janë të zgjedhurit e popullit. Ata janë për popullin. Nuk kemi as përkrahje prej tyre, por as nuk kanë një grimë respekt. Dhimbjen nuk mund t’ia shtojmë me zor se pa e prekë në palcën e vet askush kërkujt nuk ia di”, tha Nustrete Kumnova, kryetare e OJQ-së “Thirrjet e Nënave”.
Kumnova ka thënë se situata me pandeminë në vend ia ka pamundësuar organizimin e protestave për të realizuar kërkesën e tyre.
“Ne nuk do të ndalemi, ndoshta pandemia po na pengon që të organizojmë protesta dhe të jemi prapë te dyert e Qeverisë, por edhe me thirrje nga shtëpia të gjithë jemi të një mendimi qe kërkojmë unanimisht menjëherë shkarkimin e Driton Selmanajt”, tha tutje ajo.
Për shkarkimin e zv.kryeministrit Driton Selmanaj është iniciuar edhe një peticion online.
Peticionin online me moton “Ti nuk më përfaqëson! Shkarkim”, e kanë nënshkruar mbi 2 mijë persona, që nga mbrëmja e së premtes kur ka filluar.
Lidhur me kërkesat për shkarkim, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga zv.kryeministri Selmanaj e nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Por, Mustafa e Selmanaj nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit këtë të shtunë.