Drejtorët e Bordit të Kongresit Panshqiptar Amerikan (KPA) janë takuar me kryetarin e PVD-së dhe deputetin e Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, për të diskutuar për racizmin në Serbi.
Në takim u diskutua si të punohet bashkë për të çrrënjosur racizmin institucional në shtetin e Serbisë.
Në njoftimin e tyre thuhet se manifestimi më i ri i racizmit të tillë ishte vendimi i Gjykatës së Lartë Serbe për të shpallur si të ligjshëm termin përbuzës “shiptar”.
“Me këtë vendim, si dhe me shkeljen e të drejtave themelore për arsimim, punësim, shprehje kulturore, përfshirë pasivizimin sistematik të adresave të shqiptarëve, fshirjen e emrave të shqiptarëve nga listat e votuesve, refuzimin të njihen diplomat nga Kosova, dhe frikësimin ushtarak, është koha të bëhet e qartë për krejt botën që në Beograd ende sundojnë pjella politike e Millosheviqit”, tha Kamberi.
Pjesëmarrësit diskutuan mënyra si të ngritin ndërgjegjësimin për gjendjen e keqe të këtij regjioni të neglizhuar tek autoritetet në Washington D.C.
“Serbia po vazhdon të jetë forca më destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Bruno Ceka, kryetari i KPA-së.
“Integrimi regjional dhe përparimi varen nga paqja dhe stabiliteti. Kjo do të ndodhë kur Serbia, më në fund, fillon të respektojë të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve të saj dhe sovranitetin e fqinjëve të saj. Ne pajtohemi me Ambasadën e Amerikës në Beograd që gjuha e urrejtjes në Serbi është e rrezikshme dhe shkakton ‘dhimbje dhe ndasi që zgjatë’”, thuhet në njoftim.
KPA i ka bërë thirrje SHBA-së dhe BE-së të mbrojnë të drejtat e popullatës shqiptare që po tkurret në Luginën e Preshevës për shkak të pastrimit etnik sistematik nga forcat e heshtura të diskriminimit strukturor. Poashtu u është bërë thirrje qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës të krijojnë strategji dhe programe të cilat do të sigurojnë ekzistencën e vazhdueshme të shqiptarëve në tokat e tyre autoktone në jugun e Serbisë.
KPA është organizatë jopërfituese e krijuar të forcojë lidhjen mes popujve amerikan dhe shqiptar përmes promovimit të vlerave dhe interesave të përbashkëta. Kongresi Panshqiptar Amerikan