Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka nënshkruar një deklaratë të qëllimit me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, për shfrytëzimin e mëtejmë të kampit në Prizren si park inovativ dhe trajnues kosovaro - gjerman (ITP).
Deklarata e përbashkët paraqet bazën për vazhdimin e raporteve kosovaro-gjermane pas tërheqjes së KFOR-it gjerman nga kampi në Prizren dhe për prioritizimin e pesë fushave në kuadër të kampit të planifikuar: Inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura. Qëllimi është që nëpërmjet sinergjive të edukimit dhe aftësimit profesional, shkencës dhe ndërmarrësisë të jepet kontribut për zhvillimin ekonomik dhe social në komunën e Prizrenit, në gjithë Kosovën dhe në pikëpamje perspektive edhe në rajon.
Kjo deklaratë nënvizon angazhimin e Qeverisë Gjermane që në vazhdimësi të jap një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe të mbështes atë edhe më tutje në rrugën e saj drejtë strukturave euro-atlantike.
Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se “tani flamuri i Gjermanisë që ka valuar në bazën ushtarake do ta ketë një mision tjetër, atë të prosperitetit të Kosovës, të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike dhe ky është një lajm i mirë, dhe i falënderoj për besim institucionet e Qeverisë së Gjermanisë dhe njëkohësisht iu shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë tonë, që këtij projekti të përbashkët t’i japim përkrahjen e parezervë”.
Kryeministri Haradinaj shtoi se nënshkrimi i sotëm “është një porosi e mirë e prosperitetit, e zhvillimit ekonomik. Janë disa fusha të rëndësishme që do të ketë ndikim parku në zhvillimin e vendit dhe është një ndërmarrje e përbashkët Kosovë-Gjermani. Edhe njëherë e konfirmoj se institucionet e Kosovës do të jenë të vendosura që të zbatojnë këtë projekt të përbashkët dhe i falënderoj për besimin institucionet e Gjermanisë që të gjithë, njëkohësisht delegacionin”.
Qeverinë Gjermane nënshkroi Ambasadori Gjerman, Christian Heldt dhe në fjalimin e tij theksoi: “jam shumë i lumtur që flamuri gjerman do të valëvitet edhe në të ardhmen në Prizren. Ai në të ardhmen nuk do të jetë më një shenjë e pranisë së Bundeswehr-it. Në vend të kësaj, bashkë me flamurin kosovar ai do të qëndrojë si premtim për një ardhmëri të suksesshme ekonomike të Kosovës. Për mua personalisht është shumë e rëndësishme që parku i ri inovativ dhe trajnues gjermano-kosovar të ju mundëson kosovarëve të rinj të ndërtojnë një të ardhme në shtetin e tyre të ri”.
Deklarata e qëllimit e nënshkruar sot është një hap i rëndësishëm drejtë krijimit të vendeve të reja të punës, për shfrytëzimin e potencialit Kosovar të inovacionit, si dhe për mbështetjen e iniciativave kulturore dhe sociale. Iniciativa është një projekt i rëndësishëm i bashkëpunimit të dy qeverive dhe në anën kosovare përkrahet drejtpërdrejt nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Deklarata nga sot hyn në fuqi dhe hap rrugën për hapat e mëtejmë operacional.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit mirëpret gjashtë qiramarrësit e parë
Lidhur me këtë temë ka folur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë, për shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Prizren, në Park për Inovacion dhe Trajnim, duke filluar nga viti 2019.
Hoxhaj ka thënë se ky është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati, duke shtuar se po formalizohet një projekt që lidh përjetësisht Kosovën me Gjermaninë.
“Transformimi i kampit ushtarak gjerman në Prizren në një Park për Inovacion dhe Trajnim nga fillimi i vitit 2019, si një qendër e zhvillimit socio-ekonomik dhe shkencor të Kosovës është lajmi më i mirë i këtij fillim muaji si dhe ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj qeverie pasi po formalizohet një projekt që lidh përjetësisht Kosovën me Gjermaninë dhe flet për raportin tonë të shkëlqyer”, ka thënë zv/kryeministri Hoxhaj.
Diskutimet për këtë projekt kanë nisur nga viti 2009 fillimisht për t’u shndërruar në kampus universitar, e pastaj është transformuar në projekt për shndërrimin e kampit ushtarak në park inovativ.
Edhe
Haradinaj: Do ta mbajmë sa më lartë flamurin gjerman
Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se ky bashkëpunim që u nënshkrua sot përtej raporteve miqësore dhe bashkëpunimit politik, është një hap drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u mor vendimi për shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Prizren në park inovativ, i cili për 99 vitet e ardhshme do të menaxhohet nga qeveria e Gjermanisë. Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë është bërë edhe nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes.