Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë tjetër për gazetarët ka ripërsëritur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, duke shtuar se nuk do të ketë as autonomi për serbët.
Sipas tij, me korrigjim të kufijve është menduar vetëm që Lugina e Preshevës t’i takojë Kosovës, por që të mos ketë ndarje të territorit të Kosovës dhe të mos ketë autonomi për serbët.
“Ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që në fund të arrijmë marrëveshje definitive paqësore. Jam i përkushtuar për arritje të marrëveshjes dhe pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës kam propozuar korrigjimin e kufirit me Serbinë, si mundësi e vetme për të legjitimuar kërkesat e shqiptarëve atje. Kjo nënkupton jo ndarje për Kosovën, jo autonomi për serbët”, është shprehur Thaçi, transmeton KP. “Korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e plotë në tërësi të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës. Duhet të jetë proces transparent dhe paqësor mes Kosovës dhe Serbisë”.
Thaçi në konferencë po ashtu ka falënderuar mekanizmat e sigurisë për, siç thotë ai, fokusimin e tejkalimit të çdo të papriture që ka mundur të ndodhte fundjavën që shkoi.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova do t’i kryejë obligimet karshi marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe, “duke respektuar Kushtetutën dhe marrëveshjen e Brukselit”.
Sipas tij, tema kryesore mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë për arritje të marrëveshjes definitive. Ky proces, sipas Thaçit, është i vështirë e i rëndë por i domosdoshëm.
-
Thaçi tash thotë se nuk e krijon Asociacionin
-
Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as këmbim territoresh
-
Pushteti s’ndërron mendje për diskutimin e kufijve në Bruksel, zërat kundër “janë prorusë e proserbë”
-
Thaçi vazhdon insistimin për “korrigjimin e kufijve”
-
Thaçi beson se Shqipëria nuk do të jetë kundër bashkimit të Kosovës me Luginën