Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencë për media ka hedhur poshtë kategorikisht që me Serbinë të diskutohet shkëmbimi i territoreve.
Ai ka thënë se debati që po zhvillohet do ta fuqizojë e inkurajojë të gjithë akterët që të punojnë me përgjegjësinë më të lartë për normalizimin e marrëdhënieve me shteteve të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka shtuar se po rritet kultura e debatit që po i afron në konsensuse.
“Kemi treguar rezultat të jashtëzakonshëm në Rambuje ku si delegacion i Kosovës u treguam të përgjegjshëm dhe morëm përgjegjësi të përbashkët. Edhe atëherë kishim opinione të ndryshme por fitoi arsyeja me ç’rast ndodhi mrekullia e bombardimeve dhe Kosova fitoi lirinë. Serbia ka luftuar edhe me Kroacinë, dhe me marrëveshje kanë arritur të kenë njohje reciproke. Na mbetet të punojmë edhe më tepër në raport të fqinjësisë së mirë si parakusht për t’u bërë pjesë e BE-së”, është shprehur Thaçi.
Ai ka theksuar se sa më tepër që vonohemi aq më e rëndë do të jenë gjendja e Kosovës.
“Vetëm duke hyrë në NATO e BE ka kuptim shtetësia e Kosovës. Jemi dëshmitar të debateve të ndryshme, të cilat i mirëpres, dhe kjo është kam punuar gjithmonë që të kemi debate korrekte. Ky debati i brendshëm që po zhvillon Kosova që po nxitet brenda partive e ndërmjet tyre, si dhe shoqërisë civile”, është shprehur ai.
Thaçi ka siguruar qytetarët se s’ka asnjë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë ndarjen e saj.
“Fatkeqësisht jemi dëshmitarë edhe të lajmeve të rreme. Jam sot këtu që si president i vendit edhe njëherë t’i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj. Me të gjitha përgjegjësitë e mia institucionale siguroj se as që të do të diskutohet një ndarje e Kosovës. Janë shqetësues zërat që flasin gjëra të tilla. Në veçanti zëra të tilla kalojnë së përfoluri që kanë legalitet brenda institucioneve të vendit, çoftë në Kuvend apo jashtë tij, apo edhe jashtë politikës. Në çdo moment që fliten gjëra të tilla se ata që hapin gjëra të tilla po sensibilizojnë me ose pa vetëdije idenë e Serbisë për Kosovën, por kjo s’mund të ndodhë”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka shtuar se, “do të punojmë se marrëveshja finale do të jetë në përkueshmëri me kushtetutën e Kosovës. Marrëveshja finale do të ketë kuptim vetëm kur të mbyllet marrëveshja me njohje reciproke. Dhe mundësinë për anëtarësimin e menjëhershëm në BE edhe të gjitha organizatat tjera, e siguruar me marrëveshje”.
Ai thotë se duke mos bërë marrëveshje me Serbinë, nuk pëson ajo, por Kosova.
“Pos ata që potencojnë se nuk është koha e dialogut, apo se duke mos bërë marrëveshje Serbinë e vonojmë. Kjo është e kundërta. Duhet të arrijmë marrëveshje sa më të shpejtë që të kemi njohje reciproke. Kosova s’do të mund ta frenojë Serbinë drejt BE-së por do të shënojmë autogol. Kjo nuk është çështje e një individi, por si bartës të institucioneve kemi detyrë të shtyjmë proceset përpara. Nuk duhet të vonohemi ashtu si për demarkacionin dhe përsëri të ndodhë e njëjta gjë. Rrethanat ndryshojnë jo gjithmonë në të mirën tonë. Ne duhet të jemi me vetveten para së gjithash”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se nuk duhet të vonohemi siç bëmë për ushtri e për demarkacion, e sot çështja e vizave do të ishte harruar sikur ta kishim miratuar demarkacionin më parë.
“Bota nuk na pret, po na shikon, ndonjëherë edhe dëshpërohet, por edhe ne nuk mund ta bëjmë botën në agjendën tonë por duhet t’i bashkohemi agjendës së saj. BE-ja e SHBA-ja duan që të kemi marrëveshje me Serbinë. Duhet të jetë një udhëtim i shpresës, i guximit për të marrë vendime. Gjithashtu kam besim të plotë që spektri politik do ta vlerësojë që të jetë unik për interesat shtetërore. Të punojnë për interesat e qytetarëve, dhe të marrin përgjegjësi të gjithë, ata që duan të marrin përgjegjësi. Ata që s’duan të mos na shesin moral. Siç e kanë vonuar themelimin e ushtrisë dhe kalimin e demarkacionit. Është inkurajues debati në Kuvend. Jam i dëshpëruar që Kuvendi nuk arriti të tejkalojë divergjencat partiake në krijimin e një dokumenti të përbashkët”, është shprehur ai.
Sipas tij Kosova në negociata me Serbinë ka fituar tash e tri dekada dhe nuk ka arsye që të hezitohet për dialog. Ai shton se Parlamenti miraton, apo refuzon dhe jep fjalën e fundit për marrëveshjen eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se, “nuk do të ketë bosnjëzim të Kosovës. S’do të ketë pako të Ahtisarit plus”.