Hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi, ka thënë se gjatë sesionit të fundit, puna në Kuvendin e Kosovës ka qenë joproduktive.
Krahasuar me sesionin e vitit të kaluar, Thaçi ka thënë se më pak se çereku i planifikimit legjislativ të ekzekutivit nuk është trajtuar nga Kuvendi.
“Gjatë këtij sesioni puna e Kuvendit nuk ka qenë mjaft produktive, veçanërisht nëse krahasohet me vitin paraprak dhe kur analizojmë se kemi të bëjmë me një shumicë goxha solide brenda Kuvendit, mund të përfundojmë se rendimenti i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm. Përgjithshëm në frymë të numrave, mendoj se diku më pak se çereku i planifikimit legjislativ të ekzekutivit që ka qenë nuk është trajtuar nga Kuvendi, shifër kjo shumë e ulët dhe që lë përshtypjen e një sesioni joproduktiv”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, nëse krahasohet me vitin e kaluar, ky sesion qëndron më keq.
Thaçi ka thënë se faktorët kryesorë për këto rezultate jo të kënaqshme janë mungesa e kuorumit, e edhe gjuha joparlamentare e përdorur nga deputetët.
“Nuk ka ndonjë alternativë ndëshkuese dhe kjo mbase e ka krijuar këtë lloj terreni të papërshtatshëm ku nuk ekzistojnë rregullat që do të mund së paku të trajtonin këtë mungesë të paarsyeshme të tyre. Një prej fenomeneve që ka treguar përkeqësim bashkë me mungesën e deputetëve, është edhe gjuha e papërshtatshme, ofenduese dhe fyese, linçuese e deputetëve. Mendoj që lejimit të kësaj gjuhe të papërshtatshëm i ka kontribuar edhe kryetari dhe organet ekzekutive të Kuvendit, meqenëse bëhet fjalë për një lloj interpretimi paksa të butë dhe jostrikt të rregullores, veçanërisht ku flitet për ndëshkimin për gjuhën e papërshtatshme dhe joparlamentare”, ka thënë ai.