Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Ditës Kombëtare të Kroacisë në Prishtinë, të organizuar nga ambasada kroate në Kosovë, njofton kumtesa presidenciale.
Ai ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë histori të përbashkët të përpjekjeve të suksesshme për të realizuar aspiratën për liri, barazi dhe drejtësi.
“Jemi bashkë edhe sot, sepse ndajmë të njëjtat vlera civilizuese perëndimore, prandaj edhe bashkëpunimi jonë bilateral dhe miqësia ndërmjet dy popujve natyrshëm vjen duke u thelluar”, ka thënë Thaçi.
Në takimin që kishte këtë muaj me presidenten Grabar-Kitaroviq, por edhe me liderët e tjerë të shtetit kroat, Thaçi ka thënë se është rikonfirmuar edhe një herë miqësia tradicionale, por edhe gatishmëria për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në mes dy vendeve.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është krenare për raportet bilaterale të shkëlqyeshme me Kroacinë dhe është i bindur se përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta do ta ndihmojë Kosovën për realizimin e synimeve për anëtarësim në NATO dhe BE.