Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur dëshpërimin e madh të qytetarëve të Kosovës për shtyrjen e liberalizimit të vizave në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në Bruksel. Mogehirini, gjatë takimit, ka theksuar se partnerët e Ballkanit Perëndimor, tani më shumë se kurrë, duhet të punojnë bashkë për ta çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në Bruksel, ua ka ripërsëritur edhe njëherë liderëve evropianë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Thaçi, pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se ka shprehur dëshpërimin e madh të qytetarëve të Kosovës për shtyrjen e liberalizimit të vizave.
Por, ka theksuar se Kosova nuk ka alternativë tjetër, pos anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Thaçi ka thënë se ky proces mori mbështetjen nga të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Për letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, presidenti ka thënë se kjo dëshmon qëndrimin e Amerikës për Kosovën dhe mbështetjen e plotë për dialogun.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogehirini, në anën tjetër, gjatë takimit, ka theksuar se partnerët e Ballkanit Perëndimor, tani më shumë se kurrë, duhet të punojnë bashkë për ta çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE.
Edhe
Haxhiu kërkon avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE
“Liderët janë pajtuar me përfaqësuesen e lartë në nevojën për zhvillimin e progresit dhe vazhdimin e fokusit në rrugët drejt Bashkimit Evropian dhe reformat e nevojshme të brendshme”, thuhet në njoftimin nga BE-ja, pas takimit.
E, komisionari i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për ta marrë liberalizimin e vizave, porse, sipas tij, duhet ende punë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Konfirmoj që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim. Pas votës në Parlamentin Evropian, kjo çështje tani është në duart e shteteve anëtare”, ka thënë ai.