Arbëri

Thaçi: FAK-u me mbështetje të plotë të SHBA-së e NATO-s

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, që kishte marrë iniciativë e më pas ishte tërhequr për të bërë FSK-në ushtrinë vetëm me ligj e duke anashkaluar ndryshimet kushtetuese, ka treguar se në takimin që ka pasur sot me zëvendëspresidentin Mike Pence u diskutua edhe për çështjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“SHBA dhe vetë Nënpresidenti Pence konfirmuan mbështetjen për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Administrata e Shteteve të Bashkuara dhe Nënpresidenti Pence konfirmuan vetë mbështetjen e plotë për Republikën e Kosovës dhe SHBA do të jenë përkrah nesh në këtë proces. Kanë mbetur të bëhen edhe pak çështje, si konsultimet e brendshme, të nevojshme për të themeluar Forcat e Sigurisë të Kosovë, sipas një modeli dhe standardi të ri, në një ushtri moderne, multietnike, sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Presidenti Thaçi ka thënë se rreth FAK-ut gjithçka do të jetë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët në Bruksel, NATO-n, në mënyrë që ky proces të mbyllet suksesshëm.

“Do të punojmë që përmes ndryshimeve kushtetuese të përmbyllet ky proces, por në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që askush të tjetër të verë veton mbi këtë të drejtë që lidhet me sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Ne kemi punuar maksimalisht në aspektin procedurial, por edhe përmbajtjesor dhe subtancial që të përmbyllin disa obligime që kemi marrë për përfshirjen sa më të gjerë të komuniteteve. Deri më tani janë përfshirë komunitetet me 10 për qind në FSK, kështu që edhe këtë kriter do ta realizojmë suksesshëm, por ajo që është me më shumë rëndësi, është që themelimin e forcave të armatosura do ta bëjmë në mënyrë të koordinuar me Washingtonin dhe me NATO-n, dhe do të jetë një proces i suksesshëm, në një periudhë, siç e kemi theksuar, brenda vitit”, ka thënë Thaçi.