David Young, avokati i ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, është tërhequr nga rasti për shkaqe shëndetësore, ka njoftuar bashkëshortja e Selimit, Shqipe Selimi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar në Facebook të hënën se largimi i Youngut nga mbrojtja e Selimit në Dhomat e Specializuara nuk ka të bëjë me çështje financiare, derisa ka shtuar se “ekipi vazhdon punën si gjithmonë, të përkushtuar ndaj të drejtës e fitores”.
Sqarim për publikun. E shkruaj këtë sqarim, në lidhje me lajmet e fundit që po qarkullojnë në media se njëri nga avokatët në ekipin e Rexhep Selimit është larguar nga ekipi. Një gjë e tillë është e vërtetë, por nuk ka të bëjë asgjë me çështje financiare, por me çështje shëndetësore të avokatit David Young. Ekipi i Rexhep Selimit vazhdon punën si gjithmonë, të përkushtuar ndaj të drejtës dhe fitores” ka shkruar Selimi.
Ajo ka falënderuar avokatin Young për mbrojtjen e Selimit.
Ndërsa, avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi kishin kërkuar të tërhiqeshin nga mbrojtja, me arsyetimin se s’janë paguar.