Është tensionuar pak momemte më parë situata në Bularat, ku po mbahet një meshë përkujtimore për ekstremistin minoritar grek, Konstandinos Kacifas, i vrarë një vit më parë.
Qytetarët grekë pjesëmarrës në meshë nuk kanë lejuar gazetarët shqiptarë të filmojnë dhe të transmetojnë pamjet live, raporton Gazeta Shqiptare.
Ata kanë kërkuar që të filmojnë vetëm gazetarët dhe mediat greke, ndërsa në këto momente është qetësuar situata.
Në Bularat sot kanë ardhur rreth 1800 shtetas, ku janë vendosur edhe forca të shumta policie, të cilat bëjnë me dije se kanë marrë të gjitha masat për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme.
Kujtojmë se vitin e kaluar ceremonia mortore e Kacifasit u shoqërua me deklarata antishqiptare dhe në të morën pjesë persona të ardhur nga Greqia.
Kacifas doli i armatosur në mes të Bularatit një vit më parë dhe nuk pranoi të dorëzohej. Pas disa orë përplasje me RENEA-n, ai u vra në shkëmbim zjarri. 35-vjeçari rezultoi të ishte një përkrahës i ideve ekstremiste të krijimit të Vorio-Epirit në jug të Shqipërisë.