Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tema e javës në Koha Ditore: 10

Kur Kosova kishte mbërritur gati një vit prej se ishte mëvetësuar, bashkarkitekti i Pavarësisë së saj, Albert Rohan, kishte dhënë një profeci: Pavarësia e Kosovës nuk rrezikohet – rrezik janë krimi e korrupsioni. Kësaj ia kishte shtuar edhe disa sugjerime, shkruan sot Koha Ditore.

“Është më se e qartë se ka sfida të mëdha, të cilat duhet të përballohen me vigjilencë, të brendshme dhe të jashtme. Mbi të gjitha, situata ekonomike dhe politike në vetë Kosovën duhet të përmirësohen në mënyrë dramatike dhe atje duhet të ketë një fushatë energjike dhe kredibile për të eliminuar korrupsionin, krimin dhe keqmenaxhimin”, ishte sugjerimi i diplomatit austriak, dhënë në një intervistë për gazetën. “Institucionet demokratike të shtetit duhet të forcohen”.

Njeriu që bashkë me presidentin Martti Ahtisaarin kishin hartuar propozimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kishte pasur të drejtë.

Këtë të shtunë Kosova ka rrumbullakuar 10 vjetët e parë si shtet. Të drejtën e shtetësisë ia ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndërsa subjektiviteti i është njohur nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Dhe, ndonëse shkaku i vetos ruse në Këshillin e Sigurimit nuk ka mundur të anëtarësohej në këtë familje të kombeve, është bërë pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare dhe ka lidhur edhe një marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian, atë të Stabilizim-Asociimit.

Por, nga brenda shteti i ri vuan nga krimi, korrupsioni e keqqeverisja. Pikërisht për shkak të këtyre, por edhe për shkak të ngecjeve në përmbushjen e “detyrave të shtëpisë”, kosovarët paguajnë çmimin e të jetuarit në geto, meqë janë të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen. Krahas kësaj, Kosova është i vetmi vend në rajon pa një perspektivë të qartë aderimi në Evropën e bashkuar.

Politikanët janë hisedarët kryesorë të këtij realiteti dhe imazhit të rënduar të shtetit.

Edhe “Vula” që s’ia ofroi konsolidimin ndërkombëtar Kosovës Arbëri 3 d. më parë “Vula” që s’ia ofroi konsolidimin ndërkombëtar Kosovës

E, suksese individuale të kosovarëve kanë ofruar momente krenarie përgjatë një dekade. Të tillat janë parë veçmas në sport e në kulturë. Në verën e 2016-s, Kosova mori vëmendje ndërkombëtare kur në Rio, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë olimpike dhe ngriti flamurin e shtetit në ngjarjen më të madhe sportive të botës. Po në atë vit, filmi “Shok” është nominuar për çmimin “Oscar”.

Analizën e plotë të 10 vjetëve të Kosovës në Pavarësi mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore. Lexoni për entuziazmin e fillimit, për hapat prapa, për instalimin e paperspektivës, për korrupsionin si peng, e të tjera.