Pa elementet që e kompletojnë shtetësinë, Kosova shënon 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në planin e jashtëm sfidë mbetet fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe shmangia e rrezikut nga krijimi i një mekanizmi që do ta cenonte rendin kushtetues të vendit.
Deklarimi i Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por, propozimi i presidentit Marti Ahtisaari nuk e kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi njëanshëm Pavarësinë, akt që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Por akti i shpalljes nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, përbëjnë çështjen kryesore të politikës së jashtme.
E, lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vjegëz për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit të Kosovës. Ndryshe prej viteve 2018-2019, kur u vunë në diskutim edhe kufijtë e shtetit, tani rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për të Kosova ka dhënë një zotim në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e Kosovës, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria, që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.
E, dialogu i rinisur u shoqërua me tensione në terren.
Serbia aktivizoi edhe ushtrinë përreth kufirit me Kosovën, fundvitin e kaluar. Ndërkaq serbët me mjete të rënda dhe trupat e tyre për disa ditë bllokuan pikat kufitare drejt Jarinjës dhe Bërnjakut. Shkas u bë aplikimi i reciprocitetit në targa, që provokoi negociata të shpejta në Bruksel për të ardhur tek një zgjidhje e përkohshme.
Kosova nuk qëndron mirë as në aspektin e brendshëm.
Raporte të shumta vendore e ndërkombëtare vazhdojnë ta rendisin Kosovën në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Problemi më i madh mbetet vullneti për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të nivelit të korrupsionit dhe për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit.
Përgjegjësi për luftimin e korrupsionit kanë pasur edhe ndërkombëtarët.
Luftimi i kësaj dukurie ishte top prioritet i misionit më të madh evropian për sundim të ligjit - EULEX, të cilin Kosova e mirëpriti pas shpalljes së Pavarësisë më 2008. Por, ajo që lënë pas të gjithë udhëheqësit e këtij misioni ishte shprehja se para drejtësisë do të vihen “peshqit e mëdhenj”. Ky mision nuk i ka paketuar valixhet as pas 14 vjetësh prezencë në Kosovë. Tani i ruan kompetencat që ndërlidhen me mandatin e Gjykatës Speciale.
Në të përfunduan edhe protagonistët e luftës dhe të shpalljes së Pavarësisë.
Ish-kryeministri Hashim Thaçi, që e kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë, dhe Jakup Krasniqi, asokohe kryetar i Kuvendit, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pjesë e së njëjtës aktakuzë që kualifikohet si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” janë edhe Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe e investimeve mbesin probleme të pazgjidhura.
Situata u rëndua pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ku Kosova përjetoi dy ekstreme sa i përket ekonomisë. Vitin 2021 e nisi me rënie prej minus 3.9 për qind, ndërsa e përmbylli me shifër dyshifrore të rritjes.
Por rritje të shpejtë e të pakontrollueshme pësuan edhe çmimet e konsumit duke rënduar xhepin e qytetarëve. Ndërkaq pagat nuk lëvizin prej vitesh.
Vitet e fundit pati rritje të investimeve të huaja direkte, por pa efekte të mëdha në ekonomi, pasi shumica e tyre kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë. Kosova renditet e fundit në rajon për vlerën e investimeve.
Shkaku i varfërisë e papunësisë, eksod masiv të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian pati në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015.
Largimi po vazhdon ende, por në forma të tjera.
Për një vizë pune vetëm në Ambasadën e Gjermanisë gjatë muajit janar aplikuan afro 50 mijë persona.
Për pasojë, sektorë të ndryshëm në Kosovë ankohen për mungesë të punëtorëve.
Kosova deri më tani ka përfunduar me sukses mbikëqyrjen e Pavarësisë, është bërë anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por ende mungon anëtarësimi në organizatat kryesore si BE, NATO, OKB, Këshilli i Evropës. Derisa politika dështoi, sukseset në arenën ndërkombëtare i shënuan federatat sportive dhe sportistët individualë, duke arritur t’i sillnin edhe medaljet e para për Kosovën.