Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Telekomi pas vendimit të Apelit: Do t'i rikthejmë mjetet e përmbaruara pa bazë ligjore

telekom

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sot ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, e cila e ka aprovuar ankesën e Telekomit dhe është rikthyer çështja në Gjykatën Themelore.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelkit, e bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është thënë se Telekomi i Kosovës ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të parregullt dhe me shkelje serioze procedurale e materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net dhe Z-Mobile në dëm të Telekomit.

Duke marrë parasysh këto shkelje serioze, lënda është rikthyer sërish në gjykim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë. E nga Telekomi thonë se do të rikthejnë mjetet që janë përmbaruar pa bazë ligjore.

“Vendimin e Gjykatës së Apelit e shohim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës Sh.A. Telekomi i Kosovës Sh.A. i siguron të gjithë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion, me qëllim të sqarimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Vendimi i Apelit është në linjë me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., në procesin e procedurës përmbarimore, të cilat shkelje përfshijnë urdhrin përmbarimor P.nr.491/19, të datës 15.07.2019 të lëshuar nga përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, aktvendimin e Gjykatës së Apelit AC.nr.3610/20, të datës 08.10.2020, dhe gjithashtu aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës çCML.nr.12/20], të 20 janarit 2021. Shkeljet kushtetuese dhe procedurale në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., të konstatuara nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese, lidhen me përcaktimin e shumës për të cilën është lejuar përmbarimi dhe bazat meritore të kundërshtimeve dhe ankesës së Telekomit të Kosovës Sh.A., e të cilat janë thelbësore për të përcaktuar detyrimet e Telekomit të Kosovës Sh.A”, thuhet nga Telekomi.

Sipas Telekomit thuhet se anulimi i aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 6 korrik të vitit 2020, nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri te një vendim tjetër i gjykatës.

“Anulimi i aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020 nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit Sh.A. janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet në vijim në Gjykatën Themelore. Kjo nënkupton se Telekomi i Kosovës Sh.A. nuk do të jetë i detyruar të bëjë pagesa deri në një vendim përfundimtar dhe të plotfuqishëm, që përcakton qartë detyrimet e palëve, shumën dhe afatet. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës Sh.A. do të përdorë mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim, në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës Sh.A.. Në këtë fazë, duke mos harruar faktin se Telekomit të Kosovës Sh.A. i është bërë dëmtim serioz nga Përmbaruesi dhe instancat e Gjykatave, si dhe dëm kolateral në grumbullim të kamatave dhe pamundësisë së pagesave të obligimeve të tjera operative, Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pritje legjitime që këtë radhë, sistemi gjyqësor i Kosovës do të ushtrojë rolin e tij kushtetues dhe ligjor në eliminimin e shkeljeve në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A”, thuhet nga Telekomi.