16-vjeçarja Besmira Berisha ka katër muaj që ka mësuar programimin në Akademinë Jcoders.
Besmira thotë që gjatë kësaj periudhe përfshirja në teknologji ka qenë një botë e re për të, raporton KTV.
E në ditën ndërkombëtare të vajzave në shkencë, Berisha ndihet konfidente se kontributi i vajzave në këtë fushë është i pazëvendësueshëm.
Ajo bashkë me një grup vajzash të tjera janë duke punuar në një web aplikacion “dhuro gjak - shpëto jetë”.
E Berisha bashkë me 30 vajza të tjera në mesin e tyre nga komuniteti boshnjak e serb morën pjesë të martën në punëtorinë e organizuar nga Jcoders në kuadër të projektit “Tech Heroes”.
Projekti Tech Heros, i cili përkrahet nga Ambasada britanike në Prishtinë është duke u realizuar për të dytin vit me radhë nga Jcoders dhe IOM-i.
Sipas një studimi të UN Women, vajzat përgjithësisht dekurajohen për t’u bërë pjesë e shkencës. Të dhënat tregojnë se qysh në moshën 6-vjeçare, për shkak të rrethanave shoqërore, vajzat konsiderojnë se djemtë janë më të prirë që të tregojnë performancë të mirë në shkencë.
“Pavarësisht a dëshiron ajo të studiojë shkencë, të zgjidhë problemin e krizës klimatike apo të shkojë në gjithësi, lejojeni të studiojë, të punojë dhe të udhëheqë. Mendja e saj kurioze është e nevojshme për një të ardhme më të mirë”, është porosia e UN Women, në ditën ndërkombëtare të grave në shkencë.