Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes së rastit ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, në Gjykatën Speciale në Hagë do të mbahet nesër, e premte nga ora 11:00.
Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Gucatit dhe Haradinajt.
Këta të fundit akuzohen për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Në seancën që u zhvillua më 19 dhjetor në Hagë, Hysni Gucati u vetdeklarua i pafajshëm para Dhomave të Specializuara. Gucati tha se ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar për liri dhe në mbrojtje të atdheut. I pafajshëm është deklaruar edhe Haradinaj.
Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.