Arbëri

Të paktën në 3 komuna, Lista Guxo s’dëshiron të shkojë me VV-në në zgjedhje

Anëtarët e Listës Guxo të Vjosa Osmanit, të bashkuar arritën t’i kalojnë vetëm një palë zgjedhje.

Zgjedhjet e dyta për ta, që kanë qëlluar të jenë ato lokale, kanë shfaqur pakënaqësi deri në përçarje.

Aktivistë të kësaj liste në degën e Ferizajt kanë kundërshtuar qëndrimin e subjektit të tyre politik për të garuar në zgjedhje bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Koordinatori i kësaj dege, Balton Dërguti, të hënën i ka njoftuar votuesit e Listës Guxo se ka aplikuar në KQZ për regjistrim të iniciativës qytetare nën sloganin "Ne Guxojmë", nëpërmjet së cilës do të garojnë të vetëm në zgjedhje.

Veprimin e njëjtë si të degës së Ferizajt pritet ta marrë edhe dega në Gjakovë në rast se Kryesia e Listës Guxo nuk reflekton ndaj pakënaqësive të tyre.

“Më pëlqeu slogani i Ferizajt ‘Ne guxojmë’, sepse ne realisht jemi ata që kemi guxuar të mbështesim Vjosa Osmanin para zgjedhjeve dhe në zgjedhje dhe ne guxojmë prapë që të marrim iniciativë dhe të hapim iniciativë tonën qytetare”, ka thënë Rrustem Leti, koordinator i Listës Guxo në Gjakovë.

Nga degët e këtij subjekti thuhet se mungon komunikimi me Kryesinë, çka ka sjellë deri te përçarjet.

Xhevat Demaj, koordinator i Listës Guxo në Istog, thotë se nga përfaqësuesit e qendrës nuk është marrë parasysh kërkesa e tyre për ta regjistruar Listën Guxo si subjekt politik.

“Ne në Istog nuk kemi dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket kandidatit për kryetar të Komunës dhe pikërisht për këtë çështje kanë lindur pakënaqësi edhe mes degës sonë e Kryesisë së Listës Guxo, me të cilët nuk kemi mundur të kemi komunikim për ta zgjidhur këtë problem. Pas kalimit të zonjës Osmani në Presidencë ne kemi mbetur pa përfaqësues dhe jemi të pakënaqur me udhëheqjen, sepse ata që kanë kaluar në krye të Listës janë persona të vetëshpallur përfaqësues”, ka thënë Xhevat Demaj, koordinator i Listës Guxo në Istog.

Koordinatorët e degëve kanë thënë se edhe pse ka pasur vullnet nga degët që ta emërojnë Donika Gërvallën kryetare të këtij subjekti, ajo nuk ka pranuar ta marrë këtë përgjegjësi.

Lidhur me zhvillimet e fundit brenda Listës Guxo, Koha ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Donika Gërvalla, por ajo nuk ka pranuar të deklarohet.