Në takimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian të mërkurën pritet të jetë në rend dite vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kjo ishte paralajmëruar javën e shkuar kur liberalizimi u hoq nga rendi i ditës me arsyetimin “për shkak të situatës në veri”, në kohën e tensioneve për targat. Ishte hera e parë kur një vendim i procesit të liberalizimit u lidh me dialogun në mënyrë direkte.
Siç pati mësuar KOHA, fillimisht ka kaluar teksti i vendimit në grupin e këshilltarëve për viza dhe ishte vendosur të jetë në rend dite në Coreper – ambasadorëve të vendeve anëtare, që të miratohej edhe formalisht pa diskutim. Më vonë, në mbrëmje, një ditë para takimit, Presidenca Çeke njoftoi se e ka hequr nga rendi i ditës.
Sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat të martën më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi së bashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.