Pavarësisht që s'është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës janë bërë pjesë e botimit special të raportueses së posaçme për dhunën seksuale në konflikte “In their own words”
Kosova nuk është pjesë e OKB-së e megjithatë ka zënë vend në librin ““In their own words”, botim ky i veçantë i përfaqësueses speciale për Dhunën Seksuale në Konflikt. 16 rrëfime nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, ofruesve të shërbimeve të tyre, janë bërë pjesë e një botimi të tillë të OKB-së për herë të parë.
Sebahate Pacolli, që e udhëheq njësinë e rehabilitimit në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve e Torturës, e sheh si të rëndësishëm faktin që të mbijetuarve nga Kosova u janë publikuar rrëfimet në një libër të tillë, por thotë se do ta vazhdojnë lobimin për t’u bërë pjesë e raporteve vjetore të OKB-së, ku Kosova nuk bën pjesë si pasojë e mosanëtarësimit në këtë organizatë.
“Për Kosovën ne ende nuk jemi të lumtur si organizatë që ne nuk figurojmë në raportin e përvitshëm që bëhet, që publikohet nga zyra e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Edhe kjo është një hap përpara… Por në nivel të Kosovës normalisht është një ngjarje, një arritje e jashtëzakonshme krahas internacionalizimit të çështjes së asaj se çfarë ka ndodhur në Kosovë, çfarë krimesh janë kryer në Kosovë dhe si ndihen të mbijetuarat tash, domethënë 21 vite, 22 vite pas luftës në Kosovë, në çfarë sfidash kanë kaluar, çfarë shërbimesh kanë marrë, çfarë mundësi për qasje në drejtësi kanë pasur. Thjesht se si ka qenë jeta e tyre, e komunitetit dhe e familjeve me të cilat jetojnë”, ka thënë Pacolli.
Sipas saj, ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë me raportuesen speciale të OKB-së për Dhunën në Konflikt dhe nënsekretaren e përgjithshme Pramila Patten në mënyrë që personat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë të jenë pjesë e raporteve dhe publikimeve të OKB-së. Sidoqoftë, të mbijetuarat që aplikojnë për statusin e të mbijetuarve, kanë vonesa për marrjen e statusit të tyre, që ua siguron atyre edhe kompensimin mujor prej 230 eurosh. Pritjet e tyre vazhdojnë të jenë të gjata që nga themelimi i komisionit në vitin 2018.
“Për arsye se fatkeqësisht ende koha e pritjes për shqyrtim të një lënde te komisioni qeveritar, komisioni shtetëror vazhdon të jetë me një mesatare prej një viti pritje që aspak nuk është ajo të cilën të mbijetuarat e presin”, ka thënë ajo.
Në pyetjet e KOHËS se çfarë është duke bërë Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale për t’i lehtësuar aplikimet, ky komision është përgjigjur se kanë organizuar konferenca në shtatë rajone të Kosovës.
“Këtë vit Komisioni ka filluar një kampanjë me qëllim nxitjen e aplikimeve, në kuadër të së cilës do të ketë konferenca në 7 regjionet e Kosovës, emisione televizive, dokumentarë, etj. Konferenca e parë regjionale me titull “Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” është mbajtur në muajin qershor 2021 në qytetin e Gjakovës, e do të pasohet nga ajo në qytetin e Pejës në fund të muajit shtator”, ka shkruar Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale në një përgjigje për KOHËN.
Ky komision ka aprovuar 987 aplikime nga 1.528 në total. 278 aplikime i ka në trajtim e sipër. Sivjet komisioni ka marrë 135 aplikime. Gjatë luftës në Kosovë organizatat vendore vlerësojnë se u dhunuan mbi 20.000 persona.