26 vjet pas masakrës së Dubravës, ish-i burgosuri nga Rrezalla e Skenderajt, Rrahim Aliu, thotë se torturat të cilat i ka mbijetuar gjatë 1999-s, kur forcat serbe patën vrarë dhe masakruar 117 të burgosur shqiptarë, nuk do të mund t’i harrojë përderisa të jetë i gjallë. E në përkujtimin e masakrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka qenë i burgosur i luftës, ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale ta fillojë zhvillimin e hetimeve dhe inicimin e proceseve gjyqësore për ngjarjet në Burgun e Dubravës
Rrahim Aliu ka qenë tridhjetë e shtatë vjeç kur u është nënshtruar torturave të vazhdueshme të forcave serbe në Burgun e Dubravës.
Ish-i burgosuri nga Rrezalla e Skenderajt thotë se krejt ato që i ka përjetuar gjatë masakrës së 1999-s në Burgun e Dubravës, kur forcat serbe patën vrarë dhe masakruar 117 të burgosur shqiptarë, nuk do të mund t’i harrojë përderisa të jetë i gjallë.
“Kanë kaluar shumë vjet e këto nuk harrohen, se dy ditë para se m’u nis knej e me ardhë sot këtu, mu më rrok ajo, e mi harru nuk i harrojmë, me përkujtua, i përkujtojmë gjithmonë”, ka thënë ai të enjten, me rastin e shënimit të 26-vjetorit të masakrës së Dubravës.
Aliu, tani 63 vjeç, e kujton mes lotësh momentin kur ka qëndruar në mesin e mbi 98 të të burgosurve, të cilët asokohe u patën mbledhur nga forcat serbe në fushën e Burgut të Dubravës. E pas rreshtimit, ai rrëfen se si nisën të shtënat e pamëshirshme nga kullat e rojës, të cilat për synim patën vrasjen e të gjithë të burgosurve.
“Shumica kemi qenë të tubuar në këtë fushën këtu. Na kanë gjuajtur, disa kemi shpëtuar, kemi ikur e kemi vrapuar në tjera anë, por shumica e emrave që janë këtu kanë mbetur të vdekur, të vrarë prej kësaj karaudhës këtu. Kjo ka qenë famëkeqja për neve që e kemi përjetuar. Kur e kemi vërejtur, ne që jemi tubuar shumë, ia kanë nisë gjuajtjet, kanë gjuajt prej asaj karaudhës atje, na kanë gjuajt këtu edhe kanë gjuajt prej kësaj pjese, jashtë muri kanë gjuajt”, ka treguar ai për ngjarjen e 26 vjetëve më parë.
Në çdo përvjetor të masakrës, Aliu thotë se dhimbja dhe kujtimet i bëhen edhe më të rënda, veçanërisht kur takohet me familjarët e të vrarëve.
“Ke ymri, ne shpëtuam por shumë na kanë shkuar. Por më së rëndi më vjen se çfarë kemi përjetuar e shpëtuam, kur t’iu vijnë fëmija, familja kur të iu vjen, i ka mbet mashkulli këtu e mu më vjen rëndë shumë”, shprehet ai.
I mbijetuar i masakrës së Dubravës është Ylber Topalli. Ai tregon se për pesë ditë radhazi ai dhe të burgosur të tjerë janë lënë pa ushqim dhe pa trajtim mjekësor.
“Për 5 ditë këtu nuk ka pasur as ushqim, janë organizuar si kanë mundur të burgosurit dhe për më keq, edhe kur janë transferuar prej këtij burgu, prapë kanë vazhduar të njëjtat tortura, e njëjta... pa trajtim shëndetësor, pa ushqim e më pas edhe pas 2 javësh që kanë qëndruar në burgjet tjera, i kanë dërguar për në Serbi”, ka rrëfyer ai.
Ish-të burgosur, familjarë të viktimave, të mbijetuar dhe zyrtarë shtetërorë, të enjten kanë marrë pjesë në takimin përkujtimor për masakrës së Dubravës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka qenë i burgosur i luftës, ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale të fillojë zhvillimin e hetimeve dhe inicimin e proceseve gjyqësore për këtë masakër.
“Ajo çfarë pritet të ndodhë dhe çfarë bëj thirrje përsëri, është që Prokuroria Speciale e Kosovës të fillojë zhvillimin e hetimeve për këtë masakër dhe inicimin e proceseve gjyqësore për të. Dhe nuk ka vend më të përshtatshëm për ta bërë ketë thirrje sesa pikërisht vendi ku ne jemi të fortë e të gjallë, por kurrë nuk i harrojmë ata që ishin edhe më të fortë se ne, por nuk janë më të gjallë sepse dora kriminale gjenocidale e Serbisë i pushkatoi në këtë fushë brenda oborrit të burgut”, ka theksuar Kurti.
Përvjetorin e Masakrës së Dubravës e ka përkujtuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Në një postim në Facebook, Osmani ka shkruar se Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal të Serbisë kundër ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi. Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës", ka shkruar ajo.
E, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur një nga krimet më makabre që forcat serbe e kanë kryer ndaj shqiptarëve.
“Masakra e Dubravës zbardhi fytyrën e vërtetë të gjenocidit serb, me një qëllim të vetëm, zhdukjen e qenies shqiptare përmes spastrimit etnik... Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën për të vërtetën. Kosova nuk harron!”, ka shkruar ai në Facebook.
Në Masakrën e Dubravës, e cila ka nisur më 19 maj dhe ka përfunduar më 24 maj të 1999-s, janë vrarë të paktën 117 të burgosur shqiptarë ndërsa janë plagosur rreth 200 të tjerë. Për këtë masakër nuk është dënuar ende askush.
Në Prokurorinë Speciale kanë njoftuar se gjykimi i Gavrillo Millosavleviqit, i cili është i akuzuar si për keqtrajtim ashtu edhe për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës, është drejt fundit.
E Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale, ka thënë se hetimi është aktiv edhe për mbi 80 të pandehur të dyshuar për përfshirje në këtë masakër.