Ka dy vjet që edhe studentëve që banojnë pa pagesë në konvikte, u kthehet shuma e mjeteve që e deponojnë në fillim të vitit akademik, si depozitë. Por, ata janë ankuar se për një gjë të tillë nuk janë njoftuar asnjëherë. Madje, sivjet në qendrat e tyre janë vendosur njoftime se nuk kanë të drejtë të aplikojnë për depozitë. E krejt këtë menaxhmenti i Qendrës së Studentëve e quan gabim teknik
Banuesit në Konviktin e katërt të Qendrës së Studentëve morën njoftimin gjatë muajit maj se personave të liruar nga pagesa nuk do t’u kthehet depoziti, ani që menaxhmenti i lartë i qendrës kishte vendosur gjatë pandemisë që ai t’u kthehej të gjitha kategorive, në rast se nuk kanë shkaktuar dëme në inventar.
Studentët që lirohen nga pagesa janë fëmijët e dëshmorëve, fëmijët e invalidëve të luftës, fëmijët e veteranëve të luftës, fëmijët e personave të pagjetur, studentët me nevoja të veçanta, ata me skemë sociale, si dhe studentët e njërës familje.
“Në momentin kur studentët shkaktojnë ndonjë dëm, vlera e dëmit përcaktohet nga çmimorja që e posedon Qendra e Studentëve, atëherë bëhet ndalesa e depozitit konform dëmit që është shkatërruar. Në rastet e tjera, të gjithë studentëve depozitat u kthehen për vitin 2021-2022. Ky vendim është marrë nga Qendra e Studentëve që nga koha kur ka filluar pandemia, do të thotë për shkak të kushteve të vështira materiale", ka thënë Isak Beha, drejtor i Strehimit në Qendrën e Studentëve.
Në njoftimin që ishte vendosur në konviktin IV studentëve u bëhej thirrje që mos e dërgojnë numrin e xhirollogarisë. Këtë Beha, e quan gabim teknik.
"Do ta kisha cilësuar gabim teknik të atij konvikti, pasi rregulloret e të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me drejtorinë e strehimit janë unike për të gjitha konviktet, përkatësisht për të gjithë studentët", ka thënë ai.
Disa nga studentët e kësaj kategorie kanë thënë se asnjëherë nuk janë njoftuar se do t’u kthehet depoziti. Në kushte anonimiteti, ata kanë treguar se as në vitin paraprak nuk u janë rikthyer mjetet.
"Unë jam në kategorinë e personave që janë të liruar prej pagesës, por deri tash nuk kam marrë ndonjë njoftim për kthim të depozitës", ka thënë një studente e mjekësisë, banuese në konvikt, që ka dashur të mbetet anonime.
Ndërsa një banuese në konviktin numër katër, ka thënë se nuk ka aplikuar për kthim të mjeteve të depozitës, pasi ka qenë e njoftuar se nuk i takon.
“Unë e kam motrën këtu, e unë lirohem nga pagesa, mirëpo asnjëherë nuk kam dëgjuar, apo nuk jam njoftuar se mund të aplikoj. Gjithashtu, edhe shoqja ime është në të njëjtën situatë, por ne nuk kemi aplikuar për depozitë, pasi edhe këtu e kemi pasur njoftimin në derë, që mos ta dërgojmë numrin e xhirollogarisë”, ka thënë ajo.
Studentët paguajnë 30 euro për depozitë, para se të vendosen në konvikte.
Drejtori i strehimit ka thënë se të gjithë banuesit në konvikte i kanë njoftuar për një afat shtesë, për t’ua mundësuar kthimin e mjeteve, pasi t’i sjellin të dhënat që u kërkohen.
“Ne do t’i përcjellim dhe njëherë njoftimet në ‘Facebook’ dhe në faqen zyrtare, për t’ua rikujtuar se munden të aplikojnë për depozitën. Ne po ashtu e kemi vendosur edhe një afat shtesë, për t’ua mundësuar që të aplikojnë sërish”, ka thënë ai.
Deri para dy vjetëve, studentët e liruar nga pagesat nuk kanë pasur të drejtë të aplikojnë për rikthim të depozitit, me arsyen se kanë pranuar shërbime falas. Një gjë të tillë nuk e parasheh rregullorja mbi depozitat për strehimin e studentëve. e publikuar në faqen zyrtare të Qendrës. Në rregullore parashihen vetëm nenet në rastet kur studenti dëmton inventarin, nuk respekton qetësinë publike, mban ushqime të ndryshme në dhomë, vendos postere dhe shpallje me prapavija politike apo jep në shfrytëzim shtratin.
Në menaxhmentin e Qendrës kanë thënë se e kanë përcaktuar çështjen e depozitit për studentët e liruar nga pagesa në rregulloren e miratuar në vitin 2020, mirëpo nuk e kanë përditësuar në faqen zyrtare. Se pse deri më tani nuk ua kanë kthyer depozitën personave të kësaj kategorie bazuar në rregullore, Beha u arsyetua se këtë e kanë bërë përmes një vendimi të veçantë të drejtorit të Qendrës për shkak të shpenzimeve që krijohen si pasojë e ofrimit të shërbimeve falas.