Ligji për Pagat ka mundur të jetë më i mirë. Të këtij mendimi janë shprehur ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, dhe deputetët e opozitës, Arban Abrashi i LDK-së, e Shqipe Pantina e PSD-së, që ishin pjesë e komisionit parlamentar për administratë. Ndërsa Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, thotë se ky ligj është diskriminues.
Ministri Yagcilar në Puls të KTV-së ka thënë se ligji ishte paraparë që të rregullonte sistemin e pagave dhe nuk ishte paraparë si rritje e pagave.
“Kemi ligj që për herë të parë rregullon pagat për të gjitha fushat. Është rregulluar edhe te shërbimi civil. Ndoshta jo në nivelin e dëshiruar, por më mirë se që ishte. Ky s’ishte ligj për rritjen e pagave. Kjo më pengoi sepse u kuptua si rritje për paga. Ne kemi pas nevojë për sistematizim më të mirë e nëse ka nevojë edhe të shkojë me rritje”, ka thënë ai duke shtuar se pagat e reja do të dalin me bazë sipas ligjit të ri, në dhjetor.
Deputetët Abrashi e Pantina kanë pranuar se është mundur të bëhet më mirë me këtë ligj.
Teksa Abrashi ka thënë se është dashur edhe pak kohë që të punohej më mirë ky ligj, Pantina ka thënë se sikur të bëhej komplet sikur ideja e PSD-së, ligji do të ishte më i mirë.
Abrashi ka vlerësuar se ka pas presion nga të gjitha palët dhe se me dorëzimin e ligjit në Kuvend, LDK-ja ka parë shumë defekte. Këtu ka përmendur diskrepancën te koeficientët, dallimin për pagë për punën e njëjtë e dallimin mes sektorëve publik e privat. “Jemi dëshmitarë që ligji hyn në fuqi pas 9 muaj. Kurrgjë s’do të pengonte po të vonohej edhe 1 apo 2 muaj”, ka thënë Abrashi.
Në anën tjetër, Zymberi ka thënë se me Ligjin për Pagat, është ulur vullneti për punë te shërbyesit civilë.
“Ligji për Pagat është diskriminues sepse për punë të njëjtë ka paga të ndryshme. Ndarja është ‘ti din, ti jo’. E keni ulur vullnetin për punë te shërbyesit civilë”, ka thënë ai.