Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të dielën bllokohen rrugët përreth stadiumit “Fadil Vokrri”, për shkak të ndeshjes Kosovë-Suedi

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka bërë të ditur se në kuadër të përgatitjeve për të ofruar siguri për ndeshjen që nesër zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Kosovës dhe Suedisë, policia do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke vendosur pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve.

“Bllokimet dhe kufizimet në zonën përreth Stadiumit do të bëhen, bazuar në vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për shërbime Publike. Plani në fjalë do të fillojë të implementohet nesër prej orës 07:00, deri në përfundim të ndeshjes, ku do të ndërpritet qarkullimi dhe ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve në rrugët: “Enver Zymberi” dhe “Rinia”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndeshja Kosovë-Suedi zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:45.

Ekipi i Kombëtares së Suedisë ka arritur sot në Kosovë dhe më vonë gjatë ditës do të zhvillojë edhe stërvitje në stadium.