Industria e miellit në Kosovë po ballafaqohet me mungesë të madhe të rezervave të grurit që nevojiten për prodhimin e miellit. Edhe pse ky produkt aktualisht gjendet në sasi të mjaftueshme në treg, sipas shoqatës së mullisëve, gjendja paraqitet alarmante pasi që rezervat e grumbulluara nga fermerët pas korrje-shirjeve vitin e kaluar janë shpenzuar, ndërkohë që ata po e kërkojnë produktin e tyre.
Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht.
Sigurimi i grurit si lëndë e parë për prodhimin e miellit nga vendet tjera të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, ka ngritur koston, duke përfshirë këtu koston e transportit, thonë përfaqësues të shoqatës së mullisëve të Kosovës.
Kosova asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë nevojat e popullatës me miell nga rendimentet e grurit. Ajo vazhdimisht është varur nga importi që kryesisht ka ardhur nga shteti i Serbisë.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se mullisët po sigurojnë mjaftueshëm miell për të plasuar në treg, por jo edhe grurin e nevojshëm për fermerët.
“Ata të cilët janë ballafaquar më këtë fenomen janë bujqit. Ata të cilët kanë deponuar në sezonin e kaluar apo sezonin e mëhershme grurin në mullinjtë e Kosovës, aktualisht nuk kanë mundësi që të tërheqin shumat e nevojshme që ata kërkojnë. Këtu është gjendja më alarmante. Nuk është alarmante situata në treg, sepse ne furnizohemi me 50-100 tonë aq sa mund të arrijmë të sigurojmë kapacitete, e përpunojmë dhe e hedhim në treg. Mirëpo ata të cilët realisht janë më të prekurit janë buqit dhe ai grurë sot nuk është nëpër depo”, tha Zejnullahu.