Arbëri

Tahiri: Veprat e Adem Jasharit dhe të Ibrahim Rugovës plotësojnë mozaikun e Kosovës së lirë

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë mbajti seancë solemne për Epopenë e lavdishme të UÇK-së

Me rastin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, luftës dhe sakrificës së Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes Jashari, Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë ka mbajtur seancë solemne, ku përveç përfaqësuesit e politik e institucional kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Në fjalën e tij në këtë seancë, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri vlerësoi lartë sakrificën e Jasharëve.

“Ne sot kujtojmë me përulësi të gjithë dëshmorët e rënë për liri që sakrifikuan jetën e tyre në altarin e lirisë, por askush nuk sakrifikoi si Mësuesi Shaban Jashari me bijtë e tij, Ademin, Hamzën dhe tërë familjen e tyre që u vranë barbarisht nga forcat serbe Marsin e vitit 1998”, ka thënë Tahiri.

“Sot që jemi të lirë e të pavarur, ne marrim mësime shembullore nga vepra jetësore e Adem Jasharit dhe e Ibrahim Rugovës. Që të dy, si dhe shumë veprimtarë e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me veprat e tyre jetësore plotësojnë mozaikun e Kosovës së lirë e të pavarur”, u shpreh Tahiri.

Ai po ashtu tha se detyrë kryesore e qytetarëve të Vushtrrisë dhe e Kosovës është respektimi i Ligjit dhe ndërtimi i Shtetit të Kosovës.

“Ne jemi me fat që kemi mundësi t’i shërbejmë shtetit tonë të pavarur, Kosovës, atdheut tonë të dashur. Asnjë individ, asnjë grupim politik, fetar a etnik nuk është më i rëndësishëm se institucionet e Republikës sonë. Tani kur i shërbejmë kësaj Republike, detyra jonë themelore është që të respektojmë ligjin, të ndërtojmë një shtet të drejtë e të barabartë, me mundësi për të gjithë. Një shtet ku ne e fëmijët tanë kanë një të ardhme të ndritur, një shtet që e bënë krenar Adem Jasharin e Ibrahim Rugovën”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu drejtuesit e Komunës së Vushtrrisë bashkë me përfaqësues politikë dhe shoqatat e dala nga lufta, kanë bërë homazhe edhe në Varrezat e Dëshmorëve në Vushtrri si dhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku janë pritur edhe nga Rifat Jashari.