Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka vlerësuar se Kosova ka hyrë në vitin 2023 me pasojat e retorikës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, gjatë vitit 2022.
Sipas tij retorika e Kurtit e ka kthyer Kosovën në lajmet ndërkombëtare si vend me rrezik për konflikte.
“Përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte”, ka shkruar Tahiri në Fecebook.
Tahiri ka shfaqur shqetësime se si pasojë e kësaj investitorët nuk do të vinë në Kosovë e të rinjtë do të largohen nga vendi.
“Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij?”, ka shkruar Tahiri.
Edhe
Tahiri: Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tij
Sipas Tahirit këto janë pasojat e një mentaliteti të vjetër.
“Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, ka shkruar Tahiri.