Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Qeveria Kurti më e dobëta nga të gjitha qeveritë e pasluftës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është më e dobëta nga të gjitha qeveritë e pasluftës. Ai tha se përpos rritjes së çmimeve e mungesës së vizionit në politikën e jashtme, kjo Qeveri s’ka arritur asgjë.

“Sot janë bërë një vit që nga zgjedhjet parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50 për qind të votave. Kemi të bëjmë me një qeveri shumë të dobët, që përveç shtrenjtimit të çmimeve, mungesës së vizionit të politikës së jashtme, nuk ka prodhuar diçka. Kjo Qeveri për këtë vit do të njihet si më e dobëta në histori të pasluftës”, deklaroi Tahiri.

Tutje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, deklaroi se për javën e ardhshme janë futur në rend dite dy projektligje të propozuara nga LVV-ja.

“Dy ligje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit që kanë qenë pika thelbësore të LVV-së kanë hyrë në rend të ditës. Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligji për deklarimin e prejardhjes së pasurisë dhe të dhuratave”, tha ai.

“Qeveria ka ardhur me katër shtylla programore kryesore. E para ka qenë vaksinimi, e dyta rikthimi i vendeve të punës në kontekst të krizës ekonomike, e treta rikthimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe e katërta ka qenë dinjiteti i Kosovës në raport të politikës së jashtme. E para sa i përket vaksinimit ne kur kemi ardhur kemi qenë të fundit pa shpresë, sot jemi të parët në rajon. Në procesin e vaksinimit sot jemi lider në rajon. E dyta, sa i përket rikthimit ekonomik do të jap disa shifra që janë relevante për shoqërinë. Ne e kuptojmë se Kosova ka vështirësi ekonomike dhe ka vështirësi në tregun e punës. Megjithatë janë të dhënat që e mohojnë atë që e thotë ky. Ne kur kemi ardhur në pushtet, Kosova kishte vende të punës që ishin afektuar jashtëzakonisht shumë, ndërsa nëse shikon gjitha raportet, sipas ATK dhe trustit janë diku rreth 410 mijë vende të punës të regjistruara ose tatim pagues. Ne duhet të presim për të dhënat e papunësisë reale, por më duhet t’iu rikujtoj se në vitin 2019 kanë qenë 387 mijë. E dyta, është rritja ekonomike që BQK thotë se ka qenë 9.9 përqindja rritja reale dhe e treta të hyrat buxhetore të Kosovës”, tha ai.

E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se Qeveria aktuale e ka stagnuar vendin në shumë sfera, derisa theksoi se kryeministri Albin Kurti nuk ka vizion.

“Kemi pa ngathtësi jashtëzakonisht të mëdha, kemi pa një qeverisje prej më të dobëtave që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër puna e institucioneve të pavarura dhe agjencive të shtetit që kanë punuar jashtëzakonisht mirë siç janë doganat, ATK dhe institucionet tjera nuk duhet të lidhen me qeverisjen. Pasi ajo duhet të sjell projekte të reja, investime të reja dhe strategji që zhvillohet vendi. Një gjë të tillë nuk e kemi pa. Ndërsa mosangazhimi i Qeverisë së Kosovës në kohën e duhur, ju e keni pa që është vështirësuar jeta e vendit tonë, kemi rritje të çmimeve të secilit produkt përfshirë derivatet, pastaj produktet esenciale ushqimore. Kemi shtrenjtim të jetës në vend dhe shtrenjtim të energjisë elektrike”, deklaroi ai.


Seancë solemne në Kuvend për 14-vjetorin e pavarësisë

Për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, të enjten do të mbahet një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, është bërë e ditur pas mbledhjes së Kryesisë.

Deputeti i VV-së, Armend Muja deklaroi se gjithashtu javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar për dialogun dhe politikat e jashtme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, pozita dhe opozita u përplasën edhe me efikasitetin e Qeverisë Kurti, kur sot janë bërë 1 vit nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Me punën 1 vjeçare të ekzekutivit u mburr deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili tha se ka pasur progres të vazhdueshëm.

Artikuj të ngjashëm