Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme i parlamenteve të shteteve të Evropës, që po mbahet në Prishtinë më 20 dhe 21 shkurt 2017, me organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në panelin e dytë të me temën “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare/tejkalimi i barrierave politike të rajonit”, Tahiri tha se rajoni jonë po ballafaqohet me disa sfida të reja të cilat, siç tha ajo, nuk i kemi pas të nevojshme, sepse edhe ashtu kemi mjaft çështje në agjendën e rajonit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mirëpo, zhvillimet ndërkombëtare, deshëm apo s’deshëm, kanë sjellë sfida të reja në agjendën e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, bashkëpunimet rajonale dhe fqinjësia e mirë duhet të përforcohen në mënyrë që të jemi në gjendje t’i përballojmë ato, sepse bashkëpunimin e kemi në duart tona, ndërsa sfidat e reja janë në duart e faktorëve të tjerë”, ka thënë mes tjerash Tahiri.
Ajo theksoi se krahas agjendës së brendshme të vendeve të rajonit, ne na janë shtuar disa ambicie gjeopolitike.
“Këtu e kam parasysh Rusinë, që ka shfaqur hapur ambiciet për të rritur ndikimin në rajon. Prandaj ne duhet të rrisim bashkëpunimin që të tregojmë se rajoni ynë është euroatlantik. Këtu na duhet bashkëpunim më i madh i gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor me SHBA-në, e sidomos kur tashmë ka ardhur dhe administrata e re amerikane, për të kërkuar vazhdimin e prezencës dhe udhëheqjes amerikane në Ballkan në emër të paqes dhe stabilitetit. NATO është i vetmi institucion i sigurisë në mbarë botën, dhe për Ballkanin këto faktorë janë qenësorë. Ballkani ka nevojë për forcim të prezencës dhe përkrahjes së bllokut euroatlantik për t’i dhënë mesazhe të qarta atyre ndikuesve negativë, se ne refuzojmë ndikimet ruse dhe nuk lejojmë që të cenohen të arriturat dhe hartat politike që u krijuan pas luftës së ftohtë”, ka potencuar ministrja Tahiri.
Tahiri tha se vendet e rajonit duhet të jenë ato që duhet të tregojnë se paqja në Ballkan është ajo që e sjell integrimin Evropian dhe se integrimi euroatlantik është garantues i paqes në rajon.
Po ashtu, ministrja tha se në Ballkanin Perëndimor nuk i kemi përfunduar ende disa çështje të hapura, megjithëse i kemi dhënë fund epokës së luftërave dhe lindjes së shteteve të reja nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë, ku Kosova është në mesin e shtatë shteteve që kanë lindur.
“Çështjet e hapura kanë të bëjnë me raportet bilaterale mes shteteve siç janë raportet Kosovë- Serbi për zgjidhjen e të cilave jemi të angazhuar në kuadër të dialogut të Brukselit për fqinjësi të mirë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pastaj janë raportet mes Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ku ndërhyrjet e Serbisë vazhdojnë ndërsa retorika e udhëheqëseve të serbëve të Bosnjës shkon deri në kërkesa për ndryshim të kufijve, si dhe kontesti i emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë që ne mbështesin gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët, ndërkohë që kërkojmë nga autoritetet maqedonase të respektojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, duke përmbushur obligimet e Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh ajo.
Ajo tha se si kryenegociatore e dialogut të Brukselit vlerëson me përgjegjësi se ka pasur përparime substanciale, por mbetet edhe shumë për t’u bërë në mënyrë që ne të konsiderojmë që marrëdhëniet Kosovë- Serbi kanë arritur një nivel të ri normalizimi.
Sipas saj, normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ndodh vetëm kur bëhet njohja reciproke mes dy shteteve dhe kur të ndalen ndërhyrjet e Serbisë që krijojnë shqetësime në Kosovë.
Ministrja Edita Tahiri përmendi edhe provokimet e fundit destabilizuese nga Serbia, të cilat tha se u bën si përpjekje për të cenuar sovranitetin e shtetit të Kosovës, që kanë qenë pjesë e skenarëve të ambicieve të Rusisë për të kthyer ndikimin në Ballkan.
“Mirëpo ne jemi përgjigjur me maturi, kemi mbrojtur sovranitetin dhe stabilitetin në vend. Mendoj se Serbia pati disa iluzione që administrata e re amerikane mund të ndryshoj politikat ndaj Ballkanit dhe Kosovës, dhe që doli të mos jetë e vërtetë”, u shpreh ajo.
Sipas Tahirit, në Ballkan ka më shumë prirje për iluzione se sa për realitete, duke marrë si shembull shumicën e shteteve të reja që kanë lindur nga zhbërja e ish-Jugosllavisë e të cilat i njohin realitetet dhe kanë pranuar shtetësinë e njëra- tjetrës, ndërsa “Serbia vazhdon me iluzione duke mos pranuar ende këto realitete”.
“Serbia është një shtet i vogël dhe po tenton të luaj lojëra të mëdha gjeopolitike, të vendeve nostalgjike për humbjet që i kanë pësuar pas përfundimit të luftës së ftohtë, siç është Rusia. Kjo qasje do ta dëmtoj vet Serbinë sepse ka mbetur mes Moskës dhe Brukselit, ndërsa orientimi evropian dhe sjellja evropiane e Serbisë ndaj vendeve të rajonit do të ishte me interes për vet Serbinë dhe rajonin, për paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi në fjalën e saj, ministrja Tahiri.
“Përgjigja e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj këtyre zhvillimeve negative është thellimi i bashkëpunimit me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që përçon mesazhin se kemi një rajon euroatlantik. Ne duhet të dëshmojnë se gjeopolitika euroatlantike, heartlandi, është orientimi jonë, dhe të kundërshtojmë fuqishëm doktrinën ruse gjeopolitike që synon të bartë peshën tek Euro-Azia për të krijuar dominimin rus”, theksoi Tahiri.
“Ambicia gjeopolitike ruse po tenton të ndikojë negativisht në rajon. Kur përmenda Rusinë dua të them se nuk janë shembuj nga teoria e konspiracionit, por janë shembuj konkretë të ndërhyrjeve të Rusisë në Malin e Zi, e për Serbinë mos të flasim, por ka pasur edhe elemente ndikimesh edhe në Kosovë. Anëtarësimi sa më i shpejtë i Malit të Zi në NATO do të mbyllë çdo qasje të Rusisë në rajon”, deklaroi kryenegociatorja e Brukselit, Edita Tahiri.