LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Serbia kërkon të pengojë përparimin e tërë rajonit drejt NATO-s e BE-së

Kërcënimi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të adresohet me të njëjtën qasje nga BE-ja e NATO-ja, siç është vepruar ndaj agresionit të Rusisë, ka thënë të hënën kryeministri Albin Kurti. Ka kërkuar mbështetjen e ndërkombëtarëve për anëtarësim në NATO e në BE derisa ka thënë se Serbia nuk është e interesuar në integrim euroatlantik e po pengon përparimin e gjithë rajonit.

Kryeministri Albin Kurti e ka lënë fajtore Serbinë për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e në Këshillin e Evropës.

Sipas Kurtit, arsyet se pse nuk është duke ndodhur një gjë e tillë, nuk lidhen me mungesën e demokracisë apo të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të pakicave, por me sjelljen e një regjimi autoritar.

“Serbia nuk është e interesuar për anëtarësimin në NATO apo në BE, ajo kërkon të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja i janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë dhe kërcënimeve të sigurisë së Evropës, jo duke e përkëdhelur Putinin, por duke sjellë Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke ua dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Kërcënimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga ana e Serbisë duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke ia dhënë kështu edhe Kosovës statusin e kandidatit në BE dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Si folës në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, Kurti ka kërkuar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

E për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bashkëpunimi i SHBA-së me fuqitë evropiane është shumë i rëndësishëm.

“Ne mendojmë, dhe jemi vetë dëshmitarë si popull që pa funksionimin e transatlantikës do të kish me qenë e vështirë edhe vet liria e Kosovës e me poashtu shtetndërtimi i Kosovës që ishte një proces I koordinuar transatlantik. Këto 30 vitet e fundit, dy kriza të mëdha, dy luftëra të mëdha, njëra para 32 viteve dhe një tjetër e cila po vazhdon edhe sot e argumentojnë rëndësinë e transatlantikës dhe se si ajo është ekzistenciale edhe për Evropën por edhe për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Konjufca.

Konferenca njëditore e mbajtur në Prishtinë nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë mblodhi diplomatë nga rajoni e më gjerë.

Në njërën nga diskutimet e zhvilluara, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar Perëndimin se është duke aplikuar politikën e njëjtë ndaj Serbisë siç ka bërë me Rusinë më 2014 kur e ka aneksuar Krimenë nga Ukraina.

“Kur Serbia organizoi agresionin në Banjskë, në qarqet e politikave të BE-së kishte njerëz që mendonin se ndoshta Kosova është ajo e cila po ekzagjeronte pak. Dhe vetëm dy-tri ditë më parë, kur revista “Time” raportoi në thelb për atë që ndodhi, njerëzit filluan të mendojnë se 'ah ndoshta nuk ishte Kosova, ndoshta ishte Serbia'. Pra, ne duhet ta përballojmë këtë realitet ashtu siç është dhe duhet ta konsiderojmë procesin e zgjerimit si një proces gjeopolitik para së gjithash”, tha Bushati.

Konferenca është zhvilluar në katër sesione me panelistë të ndryshëm, derisa, mes të tjerash, është diskutuar edhe për luftën në Ukrainë, angazhimin diplomatik, e për ndikimin në formësimin e proceseve demokratike.