Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Pesë parti politike ndërtuam shtetin në vitet e ’90-ta

Gazetari, publicisti e politikologu Ramush Tahiri, në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së, shpalosi të pathënat nga rrëfimi i tij për Kosovën qysh nga krijimi i qeverisë së përkohshme në vitet e ’90-ta.

Tahiri foli për këshillin e partive politike të cilët atë kohë morën rol vendimmarrës shtetëror.

“Në këtë Këshill ishte LDK-ja me tre përfaqësues. Kryetari Ibrahim Rugova, profesori Fehmi Agani dhe profesori Ali Aliu. Ky i fundit vinte sepse na thoshin që Rugovën e Aganin lehtë po i mashtroni ju të rinjtë që jeni aty, mendonin në mua e Veton Surroin, sepse Hivzi Islami kishte mendim më pro LDK-së”.

“Ne, 5 subjekte politike atëherë ndërtuam shtetin, të themi sistemin paralel. Nga LDK-ja ishin tre përfaqësues, dy zyrtarisht, por ishin tre, meqë diskutimi ishte i barabartë. Nga Partia Parlamentare ishte Veton Surroi, nga Partia Fshatare ishte Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate ishte Shkelzen Maliqi dhe nga Partia Shqiptare Demokristiane isha unë. Takimet i kemi mbajtur në shtëpinë e Fehmi Aganit, Ali Aliut e në vende tjera”, ka thënë ai.

“Politika shtetërore është bërë nga ky grup i njerëzve, kemi qenë koordinues por faktikisht ka qenë grup vendimmarrës. Janë marrë vendime për arsimin, për largimin e shqiptarëve nga ushtria jugosllave, e të tjera. Kjo vazhdoi deri në zgjedhjen e Qeverisë, në shtator”, tha ai.