Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Partnerët e koalicionit pa harmonizim, për tarifën të dalin me qëndrim të përbashkët

Analisti politik Ramush Tahiri, thotë se kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka fituar përvojën e pushtetarit e ai po sillet si në opozitë.

Ashtu siç kanë vepruar gjatë fushatës zgjedhore, dy partitë që kanë arritur koalicion qeverisës, nuk kanë harmonizim dhe të njëjtat po deklarohen njëanshëm, thotë Tahiri, i cili për çështjen e tarifës, thotë se dy partitë që janë në pushtet, LVV e LDK, nuk kanë një qëndrim të përbashkët sa i përket heqjes së saj.

Për KosovaPress ai thotë se tarifa e vendosur gjatë qeverisjes së kaluar, ka prodhuar efekte politike, për çka sipas tij duhet të hiqet dhe të nisë me bashkëpunim ekonomik e tregtar pa kushtëzime.

“Fatkeqësisht partnerët e koalicionit nuk kanë harmonizim. Na ndodhi edhe ajo çfarë na ndodhi gjatë fushatës, edhe gjatë bërjes së koalicionit që të kemi deklarata të njëanshme. Në këtë rast, Albin Kurti si kryeministër me disa biznesmenë të vegjël, të mesëm, që i kishte si dekor, e dha propozimin për heqjen suksesive të tarifës dhe për vënien periodike të reciprocitetit. Pa dalë në qeveri dhe pa marrë vendim qeveria. Zakonisht këto paralajmërime nuk bëhen. Kjo tregon se Albin Kurti nuk e ka fituar ende përvojën e pushtetarit, por ende sillet si opozitar, ende më shumë e ka efektin mediatik, se sa praktik”, thotë Tahiri.

Sipas Tahirit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar që nuk e përkrah heqjen e pjesshme të tarifës, për çka thotë se edhe mund të prishet koalicioni.

“Do të ishte mira që LDK, ashtu siç është paralajmëruar, mos të del nga qeveria dhe të mos shkojë vendi edhe një herë në zgjedhje. Sepse shanca e Kosovës, edhe e popullit, edhe qytetarëve, është kjo qeveri e ndryshimit. Sepse është votuar si e tillë, ka fituar përkrahjen ndërkombëtare, po merr masat në ç’kapjen e shtetit, dhe në luftimin e korrupsionit, kundër klientelizimit, punësimeve që janë bërë në këtë bazë. Dhe duhet të vazhdojë, sepse po tregohet mirë e përgjegjshme si partnere me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra të gjendet një kompromis dhe të merret një vendim i përbashkët në qeverinë për tarifën”, shton Tahiri.