Ministria e Drejtësisë nesër do të mbajë ceremoninë e pranim-dorëzimit së ministres Dhurata Hoxha tek ministri i sapozgjedhur i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Ministria e Drejtësisë.
Pranim-dorëzimi i detyrës bëhet në orën 09:00.
Tahiri nuk e nisi mbarë punën si ministër, meqë në adresimin e parë si ministër bëri një gafë.
Duke shprehur falënderimet e tij për besimin që i është dhënë për të drejtuar dikasterin e Drejtësisë, Tahiri ka deklaruar se do të punojë, përveç në forcimin e sundimit të së drejtës, do të punojë edhe në forcimin e sundimit “të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“Derisa ndjej përgjegjësi të lartë për detyrën që do ta ushtroj, jam jashtëzakonisht i impenjuar që së bashku me të gjithë kolegët pranë MD-së të punojmë në forcimin e sundimit të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar Tahiri në postimin e tij në Facebook, raporton Koha.net.
Me të parë gabimin e tij, ose me t’i treguar dikush, ai e ka përmirësuar atë, duke e specifikuar se do ta “luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
“Derisa ndjej përgjegjësi të lartë për detyrën që do ta ushtroj, jam jashtëzakonisht i impenjuar që së bashku me të gjithë kolegët pranë MD-së të punojmë në forcimin e sundimit të së drejtës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkroi Tahiri në postimin e tij të përmirësuar.
Kujtojmë se Hoxha kishte zëvendësuar Hajredin Kuçin në postin e ministrit të Drejtësisë, ndërsa në këtë mandat ajo do të jetë ministre e Integrimeve Evropiane.