Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri ka porositur të gjitha partitë politike që mos ta shohin të lehtë punën me partinë e Behgjet Pacollit, në kuptimin që ta injorojnë pasi që t’i kenë kryer punët.
“Derisa kërkonin të bënin koalicion partitë politike, nuk u ndalnin së thirruri në telefon, si dhe çdo ditë trokisnin në derën e tij, për të arritur marrëveshje politike për koalicion”, ka shkruar Tahiri.
I ka thur elozhe shefit të tij të partisë, e ka thënë se ka besim në të. S’ka harruar t’i japë epitete as vetes.
“President, kam besim në ty dhe të jam besnik, por gjithnjë duke më besuar se jam vizionar i së ardhmes se këtij vendi”.
Tahiri ishte fillimisht ai që u përmend se mund të shkëputet nga AKR-ja e të përkrah PAN-in në zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit. Por tha se nuk do të shkojë pa Pacollin, që sipas të gjitha gjasave do të shkojnë bashkë kah PAN-i.
Edhe
Deputeti Tahiri mbron ministrin Pacolli nga sulmet e opozitës
Më poshtë është i plotë postimi i Tahirit:
Lideri im, Behgjet Pacolli!
Ky njeri, nuk ishte dhe as nuk është njeri i ultimatumeve.
Titujt gjatë këtyre ditëve, kanë qenë tituj për të përçarë miqësinë në mes të subjekteve Politike.
Behgjet Pacolli, e tha qartë se ne si subjekt politik, nuk i prijmë bllokadave, por zgjidhjeve politike, për të cilat si duket askujt nuk po i bëhet vonë nëse nesër fëmijët e tyre dhe fëmijët tanë nuk do të kenë libra për të vazhduar mësimin në Shtator.
Edhe
Deputeti Labinot Tahiri ‘mbron’ Pacollin për skandalin e zgjatjes së dorës Trumpit
Behgjet Pacollin, e vërtetë është që askush nuk mund ta mbajë me zor në koalicion, dhe as me atë nëse ai nuk shfaqë vullnet për të bashkëpunuar për të mirën e Kosovës. E ka dëshmuar këtë! Pra, ai kërkon zgjidhje, e jo bllokada.
Derisa kërkonin të bënin koalicion partitë politike, nuk u ndalnin së thirruri në telefon, si dhe çdo ditë trokisnin në derën e tij, për të arritur marrëveshje politike për koalicion!
Andaj, mos e mendoni të lehtë punën me Behgjet Pacollin dhe as AKR-në, duke na injoruar pasi që t’i kryeni punët kushdo qoftë sepse, gjithmonë dhe gjithë jetën për aq sa e kemi të caktuar të jetojmë, do t’i duhemi Kosovës dhe të gjithë juve. Këtë ua garantoj.
Pra, mos ja bëni si ajo barcoleta, “Kalova gardhin e të dhj... kalin”.
Lërini miqësi dhe tregoni bashkëpunim për Kosovën se fundja mbi 22 milionë euro donacion i ka dhuruar për fëmijët dhe spitalet Behgjet Pacolli, përderisa asnjëri nga ne kaq para nuk kemi dhënë për Kosovë, ne që jemi brenda Parlamentit tonë.
Edhe
Tahiri jep dorëheqje nga kryesia e AKR-së, thotë se nuk ka shumë korrektësi në të
President, kam besim në ty dhe të jam besnik, por gjithnjë duke më besuar se jam vizionar i së ardhmes se këtij vendi.
Labinot Tahiri, Shërbëtor i vendit!