Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Kurti po përdor logjikë inatçore e autoritare

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për logjikë të mbrapsht, inatçore e autoritare, derisa është deklaruar për mosshkuarjen e tij në takimin joformal të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një konferencë për media të hënën, Tahiri ka thënë se me logjikën me të cilën po udhëheq Kurti, Kosova po përjashtohet nga të gjitha iniciativat.

“Mosshkuarja e kryeministrit të Kosovës në një takim joformal i ftuar nga kryeministri i Shqipërisë tregon logjikën e mbrapsht, logjikën inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që e udhëheq Kosovën. Është e papranueshme që Kosova të përjashtohet nga të gjitha tryezat. Jemi përjashtuar nga programi i BE-së, jem përjashtuar nga Defenderi amerikan, jemi përjashtuar nga takimet në SHBA, tash edhe u vetëpërjashtuam nga iniciativat rajonale. Kjo është logjikë inatçore dhe është joshtet formuese”, ka thënë ai.

Tahiri ka bërë thirrje për Qeverinë që të ndalojë, siç tha ai, eksperimentimin, dobësimin dhe kolapsimin e Kosovës.

“Mosveprimi i Qeverisë, taktizimi dhe mungesa totale e strategjisë për të pjesë të Kosovës është duke e dobësuar dhe po e trajton çështjen e Kosovës në formë eksperimentale”, është shprehur ai.

Sipas shefit të GP-së së AAK-së, Ligji për pagën minimale, i miratuar së fundmi në Kuvend, ka për qëllim largimin e veteranëve të UÇK-së nga ky ligj.

“Ligji për pagën minimale e ka pasur vetëm një qëllim, për t’i margjinalizuar dhe për t’i larguar një kategori shumë të rëndësishme, atë të veteranëve të UÇK-së. Ligji i pagës minimale është ligj që s’ka asnjë efekt të vetëm në terren sepse në sektorin privat nuk ka rrogë nën 260 euro”, ka theksuar ai.

Artikuj të ngjashëm