Arbëri

Tahiri: Kurti erdhi në pushtet me gurë, e ka ditur që disa vendime janë të pakthyeshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka ditur që disa vendime do të ishin të pakthyeshme, derisa ka theksuar se “ai ka ardhur në pushtet duke gjuajtur gurë”.

Duke folur për tokat e Manastirit të Deçanit, deputeti i AAK-së ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.

“Albin Kurti erdhi në pushtet duke gjuajtur gurë e duke ofenduar nga fjalët më të ulëta. S’ka lënë fjalë më të rëndë pa e adresuar. Erdhi në pushtet me retorikë populiste. Ai i ka marrë në Deçan mbi 4.000 vota. Ai e ka ditur saktësisht se janë disa vendime të pakthyeshme...Vendimi i Kushtetutës është i zbatueshëm, jo i diskutueshëm”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i partisë opozitare ka theksuar se Kosova po e rrezikon besimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ndërkombëtarët nuk bëjnë politikë por “kanë qëndrime të bazuara në evidenca”.

“Nuk guxojmë të eksperimentojmë me tema jetike në rrugën tonë, por edhe në forcimin e subjektivitetit tonë. Po e humbim besimin e SHBA-së. Kur ka qëndrime strikte nga zyrtarë amerikanë, janë të bazuar në evidencë. Qëndrimet amerikane tash e 25 vjet s’na kanë dalë ndryshe. S’na e kanë thënë një të pavërtetë...Problemi është se Kurti po tërhiqet nga secili veprim apo vendim që po e merr. Po e merr, po kthehet 3 hapa prapa e po krijon konsekuenca për shtetin e Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Për çështjen e dinarit serb, Tahiri ka potencuar se është problematike se si një temë e tillë është diskutuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Dinari është bërë problem jo vetëm i menaxhimit, por është kthyer temë diskutimi mes Kosovës, BE-së dhe SHBA-së. Duke arritur që kjo të diskutohet në Këshill të Sigurimit. S’duhet Qeveria ta trajtojë një temë të tillë në OKB e në Bruksel. Dinari është diskutuar në Bruksel me bekim të Qeverisë...Në Këshill të Sigurimit është dashur të trajtohet vetëm sulmi në Banjskë”, ka thënë ai.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shefi i GP të AAK-së ka theksuar se do të ishte arritje e madhe, por jo më e madhja për Kosovën. Ai beson se anëtarësimi do të ndodhë.

“Jam i bindur se i kemi votat për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Kryesia e vendos në agjendë dhe kur të vendoset aty votohet. S’është arritja më e madhe anëtarësimi në Këshill të Evropës, këtu ka pak arritje, përkundër faktit që është punuar shumë, liberalizimi ka mbetur Kurtit si meritë. Nëse arrihet, kjo do të shihej arritje e madhe. Arritja më e madhe për Kosovën do të ishte anëtarësimi në NATO”, ka thënë ai.