Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se ka rritur “varësinë energjetike dhe ka ngritur në qiell çmimet dhe krizën sociale e ekonomike”.
Tahiri ka thënë se Qeveria aktuale po e zbraz Kosovën.
“Kur ishin në opozitë, dolën kundër çdo investimi ndërkombëtar energjetik. Asokohe doli kundër projekteve të linjitit ashtu edhe kundër projektit energjetik amerikan me gaz. Qëllimi i tij nuk ishte mirëqenia por lufta për pushtet. Me vendimmarrje monopoliste për shtrenjtim të energjisë verës, ku piku dhe blloktarifat nuk marrin shumë vëmendje për shkak të konsumit të ultë, kjo qeveri ua tkurri qytetarëve standardin dhe shërbimet, i varfëroi. Ky kryeministër, nuk e ka problem që me përhapjen e krizës sociale, të jetë në krye të qeverisë e cila po e zbraz Kosovën”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Kalkulimet e tij dhe njerëzve përreth janë të thjeshta por fatkeqe për ne. Duke e zbrazur Kosovën, ky 'fenomen' politik, shpenzon më pak rrymë, pranon remitenca më shumë, për çmimet me të cilat pasurohet klika e tij. Krejt çfarë ka mbetur është të dërgoj Martin Berishajn në ndonjë vend ku ka më shumë diasporë, dhe ku nëse votohet në Ambasada, t'i mbushin kutitë! Kjo, sot në Seancën e Jashtëzakonshme duhet të demaskohet, le të del në pah mashtrimi!” – ka shkruar Tahiri.