Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kanë thënë se pushteti e mbylli seancën e sotme për ta pamundësuar diskutimin për “skandalet e fundit të kësaj Qeverie”.
Seanca e sotme e Kuvendit u mbyll pa filluar fare punimet. Munguan deputetët e pushtetit, rrjedhimisht nuk kishte kuorum. Me këtë rast, Kuvendi edhe i mbylli punimet për sesionin pranveror.
E në konferencë për media, Tahiri ka thënë se krejt kjo po ndodh pasi pushteti nuk do të diskutojë për sanksionet e skandalet e tjera.
“Ju ishit prezent edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë ku kërkuam debat për aferën Zdravo. Në atë mbledhje na u pamundësua që debati të ndodhte sot siç kërkuam për qartësi nga kryeministria e shefja e GP të VV-së për komunikimin me Radojçiqin. E mbyllën këtë seancë për të na e pamundësuar që të flasim për aferën Zdravo. E dyta që është shumë shqetësuese është për abuzimet që janë duke ndodhur në Ministrinë e Rozeta Hajdarit. Si Grup Parlamentar do të vazhdojmë të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendin ta dërgojmë në zgjedhje. Kjo seancë qe u anulua sot mund të jetë edhe si rezultat i kërkesës së Radojçiqit. Janë po këta njerëz qe po na e pamundësojnë të bisedojmë për sanksionet. Kjo tendencë e mbylljes në mënyrë kaq të turpshme të seancës është për shkak se nuk duan të flasin për sanksion”, ka thënë Tahiri.
Gashi gjithashtu thotë se pushteti qëllimisht nuk mblodhi deputetët për ta pamundësuar diskutimin për skandalet e fundit të Qeverisë. Sipas tij, vetë shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u kishte premtuar se në seancën e sotme do të kishte kuorum.
“Sot përfundoi sesioni me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por jo vetëm – karakterizohet nga kapja e shtetit, shkeljet kushtetuese, nga skandalet si ajo e vajit dhe Zdravo, me korrpusion masiv. Duke i shtuar kësaj edhe elemente të tjera, si qeveria e sanksioneve ndërkombëtare. Pra, Kosova nuk mund ta përballojë një qeverisje të tillë. Mënyra se si u mbyll sesioni për t’ia pamundësuar deputetëve që të deklarohen për çështje me interes në ditën e fundit të sesionit është po ashtu shkelje procedurale, demokratike dhe kushtetuese. Qëllimisht nuk i kanë mbledh deputetët për t’ia pamundësuar Kuvendit të diskutojë”, ka thënë Gashi.
Deputeti Jahja Kokaj kthen Kuvendin në palestër: