Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Szunyog për mosdekretimin e kryeprokurorit: Nevojitet proces i përzgjedhjes me meritë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog

Drejtori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për mosdekretim të Blerim Isufajt kryeprokuror të shtetit për shkak të shkeljeve që janë gjetur gjatë procesit të përzgjedhjes.

Szunyog ka thënë se nevojitet proces i përzgjedhjes i bazuar në meritokraci dhe transparencë.

“Duke marrë parasysh deklaratën e presidentes për Kryeprokurorin e Shtetit, theksoj nevojën kritike për një proces përzgjedhjeje të bazuar në merita, transparente dhe të drejtë për pozitat brenda sistemit të drejtësisë”, ka shkruar ai në platformën X.

Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër.

Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.