Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Szunyog: BE-ja e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Këto i ka thënë Szunyog gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian”, theksoi z. Tomas Szunyog. Në veçanti, vijoi ai, BE-ja do të vazhdojë angazhimin për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Po ashtu, z. Tomas Szunyog foli edhe për planin e investimeve të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar rajonin për rimëkëmbjen ekonomike, me qëllim të tejkalimit të pasojave të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit dhe shtroi edhe temën e liberalizimit të vizave.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është synim yni strategjik. Andaj, do të jemi të hapur dhe bashkëpunues në vazhdimësi për ta implementuar agjendën tonë të integrimit”, theksoi kryeministri Hoti, i cili, edhe në këtë takim, shtroi çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit tonë, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për këtë çështje. Ne vërtet jemi të interesuar që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me të gjitha vendet e BE-së, sidomos me ato që kanë hezitime, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, tha Hoti.