Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla për sundimin e ligjit në veri: Situata po ndryshon pakthyeshëm, mbyllëm 16 rrugë ilegale

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në takimin e ministrave të Punëve të Brendshme në kuadër të procesit të Brdos që po mbahet në Portorozh të Sllovenisë, ka folur për sfidat me të cilat shteti i Kosovës po përballet në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sveçla në këtë takim përkundër rezultateve të arritura, ka diskutuar edhe sfidat, siç thuhet “sidomos ato në katër komunat në veri, për të cilat kërkohet një vëmendje e veçantë, përfshirë dhe në fushën e luftimit të kontrabandës dhe rikthimit të sundimit të ligjit”.

Sveçla citohet të ketë thënë se situata në terren po ndryshon dhe se 16 rrugë ilegale të kontrabancës atje janë mbyllur.

“Në këtë pikë, situata po ndryshon pakthyeshëm dhe për çdo ditë e më shumë sundimi i ligjit po vendoset si në çdo pjesë të Republikës. Gjashtëmbëdhjetë (16) rrugë ilegale të cilat ishin përdorur për zhvillimin e kontrabandës në katër komunat në veri, përfshirë dhe atë me migrantë, por edhe trafiqeve të tjera, e që ndihmonin në pasurimin e krerëve të grupeve kriminale janë mbyllur tërësisht apo janë nën kontroll të plotë të institucioneve të sigurisë”, citohet të ketë thënë Sveçla.

Lidhur me progresin e arritur në fushën e luftimit të kontrabandimit me migrantë, ministri Sveçla ka theksuar se me rritjen e numrit të aktiviteteve policore, përkatësisht të rasteve të zbulimit të kontrabandisteve është arritur që të zvogëlohet numri i migrantëve viteve të fundit.

Në takim thuhet se u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe identifikimin e veprimeve të ndryshme në luftën kundër kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit, si dhe menaxhimin e ri pranimit dhe kthimit.

Ministri Sveçla citohet të ketë thënë se Republika e Kosovës me vite të tëra e ka dëshmuar se i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, si parakusht për stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm, paqe dhe siguri.

Edhe Sveçla: Bashkëpunimi rajonal rezultoi me mbylljen e 35 rrugëve ilegale Arbëri Sveçla: Bashkëpunimi rajonal rezultoi me mbylljen e 35 rrugëve ilegale

“Institucionet tona të sigurisë kanë dëshmuar se janë partner serioz në nismat rajonale, shpeshherë duke u marrë dhe si shembull i praktikave të mira jo vetëm për rajonin, jo vetëm në nivel organizativ, por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, përfshirë kontrabandën me migrantë, trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve, por dhe formave tjera të trafikimit”, citohet Sveçla.

Sveçla thuhet se është treguar i përkushtuar për bashkëpunim rajonal si dhe me mekanizmat e ndryshëm Evropian dhe ndërkombëtarë në adresimin e të gjitha çështjeve dhe sfidave që ndërlidhen me migrimin e parregullt duke theksuar se të gjitha qeveritë do të duhej që përveç luftimit të migrimit të analizojnë dhe adresojnë shkaqet kryesore që shpijnë njerëzit drejt migrimit.

Ministri Sveçla, ka marrë pjesë në këtë takim me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë, Bostjan Poklukar.