Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla ka thënë se çështja e pronave nuk është aferë por skandali më i madh i qeverisjes komunale të Përparim Ramës.
Ka deklaruar se LVV-ja ka denoncuar vazhdimisht paligjshmëritë në Komunën e Prishtinës, por sipas tij, asnjëherë s’e kanë pasur vëmendjen mediale.
Ai ka thënë se grupi i LVV-së i ka shprehur të gjitha vërejtjet për pronat.
“Ne kemi bërë thirrje dhe kemi ftuar Prokurorinë që ta hetojë këtë çështje. Nuk kemi reaguar më herët për shkak se kemi qenë në pritje të MAPL-së. Bindja jonë ka qenë që MAPL-ja do ta shpallë si të pavlefshme”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se vërejtje tjetër ka qenë edhe mungesa e vlerësimit të pronave.
Edhe
Rama s’tregon që e nisi vetë një nga dy proceset e këmbimit të pronave të ish-klientit të tij
Sipas tij, propozim-vendimi i Ramës për këtë çështje është skandaloz dhe arsyetimi është mashtrim.
Sveçla, ka thënë se grupi i tij nuk e ka bërë kuorumin në seancën ku është diskutuar e votuar çështja e pronave.
Sipas tij, vendimet e kundërligjshme në Kuvendin e Prishtinës ndodhin vazhdimisht.
E, gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka treguar se si nisi hulumtimin mbi këmbimin e pronave.
“Për mua ishte një fjali në një artikull kur e pash 20 me 8 mendova se është ngatërresë, sepse ishte që Komuna e Prishtinës ka pasur diskutim lidhur me këmbimin e një prone 8 hektarëshe me pronën komunale 20 hektarëshe. Mendova mbase është se 20 hektarë janë të pronarit privat e 8 të komunës. Kjo më bëri që për kureshtje t’i shoh dokumentet”, ka thënë ajo.
Ramaj ka thënë se kjo çështje kishte kaluar me shumë lehtësi, ndërkaq të çuditshëm e ka parë arsyetimin e kryetarit të Komunës, Përparim Rama.
“U befasova shumë sepse të gjithë e kemi ditur aferën e Badocit, kemi qenë të njoftuar se kushtet e ndërtimit kanë qenë të jashtëligjshme. Ishin zona të mbrojtura. Më është dukur që një çështje ka kaluar me lehtësi. Ne kemi pa që bëhet fjalë për ish-klientë të Ramës. Nga plot çështje kundërthënëse, më shumë më ka bërë përshtypje arsyetimi i Ramës.... Më 2021 kanë qenë të përcaktuara qartë parcelat dhe në dokumentet e këmbimit që është ndërruar pronari është po e njëjta hapësirë por dallimi është që i janë kthyer disa, Rrahman Haradinajt, sepse i kanë thënë se Komuna nuk po ka sa duhet të të këmbejë, prandaj po t’i kthejmë disa parcela, parcela që janë përfshirë në procesin e këmbimit më 2023”, ka thënë ajo.
Ramaj ka theksuar se problemi më i madh në këtë çështje ka qenë interpretimi i vendimit të Ministrisë së Ambientit i lëshuar për Komunën, që siç thotë ajo, nuk ka qenë vendim fare.
Edhe
Rivlerësohet vendimi që këmben pronat komunale me ato të ish-klientëve të Ramës, njoftohet Policia
“Mendoj që problemi më i madh është te mënyra se si është interpretuar vendimi i Ministrisë së Ambientit. Vendimi i ministrisë ka qenë përgjigje, s’është vendim, por përgjigje në ankesë për palën i cili është ankuar në vendimin e z. Abdixhiku. Ministria e Ambientit e ka dërguar te Komuna dhe i ka thënë ta trajtojë në bazë të ligjit për shpronësime”.