Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Masat për targat do të implementohen pa cenuar sigurinë në masë të madhe

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa ka folur për vendimin e shkallëzuar të Qeverisë së Kosovës sa i përket konvertimit të targave ilegale serbe në ato RKS, ka vlerësuar se Qeveria e Serbisë është vazhdimësi e Qeverisë së Sllobodan Millosheviqit, andaj duke e pasur atë fqinj, nuk mund të ketë situata normale.

Në një intervistë për TCH, Sveçla ka thënë se vendimi i Qeverisë për targat e ka përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne nuk u tërhoqëm në zbatim të vendimit, modifikuam qasjen fillestare. Nuk është shtyrja e parë kjo. Kemi sjellë plotësisht një vendim legal, legjitim dhe në këtë kuadër kemi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Me një shtet jonormal si Serbia, me një Qeveri që është vazhdimësi e Qeverisë së Millosheviqit, situata normale nuk mund të kesh. Ne do të dëshironim që fqinji verior do të ishte një shtet demokratik, pasi do të vazhdojmë të jetojmë afër njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Sveçla ka shtuar se me shumëllojshmërinë e masave që ka paraqitur Qeveria e Kosovës, është i bindur se do të implementohen ato suksesshëm “pa cenuar sigurinë në masë të madhe”.

“Kemi një situatë të këtillë, Qeveria e Serbisë jo vetëm se shfrytëzon raste të tilla, por në vazhdimësi punon për të minuar sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke mobilizuar e financuar ekstremistë të ndryshëm. Çfarëdo lloj iniciative që ne ndërmarrim, Qeveria e Serbisë menjëherë ndërmerr veprime që shkojnë në atë drejtim për të minuar forcimin e sovranitetit të institucioneve legale dhe ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Sveçla.

Edhe Sveçla: Serbia ka shkelur dakordimin për targat Arbëri Sveçla: Serbia ka shkelur dakordimin për targat

Ministri i Brendshëm i Kosovës më tej ka thënë se Serbia synon që t’i vë në situatë të palakmueshme qytetarët të cilët i nënshtrohen vendimit për targat.

“Është një linjë direkte mes kundërshtisë së Beogradit dhe pastaj shtypjes së vullnetit të qytetarëve atje ku me ç’rast vihet në vështirësi e gjithë kjo iniciativë për shtrirje të ligjit në këtë aspekt. Ne po kërkojmë që targat të ndryshohen në targa legale me plot benefite të cilat qytetarët e zonave tjera nuk i gëzojnë. Këta qytetarë nuk mund të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Kemi vërejtur qindra vetura me targat KM kanë edhe targa RKS në të njëjtën kohë”, ka shtuar ai.