Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi tregon si e gjeti Prishtinën më 13 qershor 1999

Flaka Surroi, drejtoresha menaxhuese e Grupit “Koha”, ka kujtuar se si e ka gjetur Prishtinën më 13 qershor të vitit 1999, një ditë pas hyrjes së KFOR-it në Prishtinë.

Në Rubikon të KTV-së, Surroi ka treguar se 12 qershori, dita e çlirimit të Prishtinës, e kishte gjetur në Shkup me punën e saj në misionin e UNICEF-it.

Ajo ka treguar se 12 qershori ishte qenë natë e gjatë pasi një natë më herët kishin parë lajmet se forcat ruse kanë hyrë në Prishtinë.

“Dita e 12 qershorit ka qenë dita në të cilën e kalova pas një nate të gjatë ankthi. Isha në Shkup. Çlirimi më gjeti syrgjyn në Maqedoni. Pas një 60-ditëshi të kaluar atje nëpër kampe, na u dha rasti të gëzohemi. Por s’e kishim të qartë kur do të ktheheshim prapa. E pamë në CNN lajmet e para se trupat ruse kishin depërtuar në Prishtinë. Ishte natë e gjatë, pamë euforinë e serbëve që u transmetuan në pamjet televizive. Frikë se mund të ishte një tragjedi edhe më e madhe. S’dija gjë për familjen time. Ishim në Shkup pa ditur se çka ka ndodhur me familjet tona”, ka thënë ajo.

Surroi ka thënë se Prishtinën e gjeti pjesërisht të çliruar më 13 qershor.

“Morëm dritën e gjelbër nga forcat e sigurisë që të ktheheshim në ekipe të vogla. Në gjysmë dite ishte ankth, pas gjysmë dite ishte gëzim aq i madh sa që e kaluam gjithë pasditen në një vetëshërbim duke blerë sende për të ardhur të nesërmen në Prishtinë. Për mua ditë çlirimi ishte 13 qershori kur e gjeta Prishtinën pjesërisht të çliruar. Po them pjesërisht sepse gjetëm forca policore në disa pjesë. Pastrimi i plotë i Prishtinës ndodhi diku kah 19 qershori, kur forcat policore serbe ishin larguar plotësisht”, ka treguar më tej ajo.