Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të duhej të ishte më i bashkërenduar me autoritetet e Kosovës.
Ai ka deklaruar të hënën në “Ora News” se Rama ka pasur mungesë ndjeshmërie “për disa nuanca për zhvillimet në Kosovë”, e kjo sipas tij, është shprehur qëkur ishte anuluar mbledhja e përbashkët e dy qeverive.
“Rama ka qenë disa herë konsistent në mungesë të ndihmës në momentet e duhura dhe në mungesë të njohurive për atë që po ndodh në Kosovë. Qysh nga koha e anulimit të mbledhjes së qeverive dhe më herët ka pasur një mungesë ndjeshmërie për disa nuanca për ato që ndodhin në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Surroit, Serbia është shtet fqinj i Kosovës, e jo i Shqipërisë, e nga kjo, ai ka shtuar se kryeministri Rama “do të duhej të ishte më i holluar në analizë”.