Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sulmohet fizikisht një infermier në Spitalin e Prizrenit

Një infermier i Repartit të Radiologjisë në Prizren është sulmuar fizikisht nga familjarët e një pacienti.

Sipas njoftimit deri tek sulmi ka ardhur pikërisht kur infermieri ka kërkuar të plotësohen të dhënat elementare në udhëzim ku për prindin e pacientit kjo kërkesë nuk është pranuar dhe e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në njërin sy infermierit N.S.

“Sindikata e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren ka njoftuar se në mbrëmjen e 14 marsit gjatë ndërrimit të natës rreth orës 22.00, në vendin e punës derisa po ofronte shërbime shëndetësore për pacient është sulmuar infermieri i Repartit të Radiologjisë N.S. Infermieri në fjalë ka një eksperienc 30 vjeçare dhe njihet për seriozitetin e tij ndaj profesionit, korrektësinë dhe sjelljen e mirë”, thuhet në njoftim.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka dënuar aktin dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para ligjit.

Derisa në komunikatë thuhet se punëtorët shëndetësor në përgjithësi tani janë të ngarkuar dhe të lodhur duke punuar pa ndërprerë në këtë kohë Pandemie ku brenda ditës jepen me qindra shërbime spitalore dhe jashtëspitalore andaj një sjellje e tillë veçse e përkeqëson situatën.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dënon rëndë dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve Shëndetësorë, dhe kërkon nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë, duke ditur që raste të tilla të turpshme janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rëndë identitetin dhe imazhin e punëtorëve shëndetësorë në vend”, thuhet në njoftim.